Juventusi triumfon në ndeshjen dramatike ndaj Monzas

Pas barazimit në derbin me Interin javën e kaluar, Juventusi u rikthye sonte te fitorja në Serie A.

Skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri triumfoi në udhëtim ndaj Monzas, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-t në Serie A.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Brianteo” përfundoi me rezultatin 1:2. Fundi i kësaj përballje ishte tejet dramatik.

Juventusi kaloi në epërsi me golin e Adrien Rabiot (12′), me shifrat që nuk ndryshuan deri në minutat shtesë.
Vendasit ia dolën të barazonin rezultatin përmes Valentin Carboni (90+1′), por “Zonja e Vjetër” reagoi tre minuta më vonë dhe mori sërish epërsinë. Federico Gatti (90+4) shënoi për t’ia siguruar pikët e plota Juventusit.

Juventusi pas kësaj fitore ka 33 pikë dhe tani është lider në tabelë, me një pikë më shumë se Interi. “Nerazzurrët” momentalisht kanë një ndeshje më pak.

Monza është e dhjeta me 18 pikë.