Premier League njoftoi këtë të enjte, përmes platformave të saj zyrtare, se ndeshja Fulham-Burnley, e programuar më 23 dhjetor, do të jetë ndeshja e parë në ligën më të lartë angleze që do të gjykohet nga një femër.
Bëhet fjalë për Rebecca Welch, me këtë të fundit, që nuk e ka për herë të parë “shkruajtjen” e historisë, teksa në vitin 2021 u bë gruaja e parë që u caktua për të arbitruar një ndeshje EFL, domethënë në nivelet dytësore.
Interesant është fakti se Welch ka qenë edhe gjyqtarja e ndeshjes mes Benfikës dhe Frankfurtit, në “Estádio da Luz”, në Champions League për femra, mirëpo 40-vjeçarja nuk do të jetë e vetmja që do të bëjë historinë në Premier League.
Arbitri Sam Allison gjithashtu do të shfaqet gjatë “Boxing day”, në Premier League. Anglezi do të gjykojë Sheffield-Luton, më 26 dhjetor, duke u bërë kështu arbitri i parë me ngjyrë që do të vendosë drejtësi në një ndeshje të elitës së futbollit anglez.