Haaland lë pas Mbappen dhe Messin, si lojtari më i mirë i 2023-shit

Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS) ka shpallur Erling Haaland si lojtarin më të mirë në botë për vitin 2023.

Sulmuesi norvegjez, fitues i tripletës në sezonin e kaluar me Manchester City dhe autor i 50 golave në vitin kalendarik, grumbulloi 209 pikë.

Haaland la pas në renditje futbollistin e PSG, Kylian Mbappe me 105 pikë, ndërsa në vendin e tretë u rendit fituesi i topit të artë Lionel Messi, që arriti kuotën e 85 pikëve.

Ndërkohë ne 5-shen e parë ndodhen Rodri dhe Bellingham.

IFFHS krijoi çmimin për lojtarin më të mirë në botë në vitin 1988. Marco Van Basten (1988 dhe 1989) dhe Lothar Matthaus (1990) ishin 3 fituesit përpara se Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter t’i kërkonte IFFHS-së t’ia linte këtë detyrë FIFA-s.

Që nga viti 2020, IFFHS ka vendosur të japë sërish këto çmime.

Robert Lewandowski ishte fituesi i Çmimeve në vitet 2020 dhe 2021, ndërsa Lionel Messi triumfoi në 2022-shin.