Serbia nuk mundet më të luajë me Europën dhe Rusinë. Këtë ka deklaruar Ministria e Jashtme gjermane duke theksuar rendësinë gjeostrategjike të anëtarsimit në BE të Ballkanit Perëndimor.
“Kur flasim tani për zgjerimin, është e qartë se nuk mund të ulesh njëkohësisht dy karrige”. Prandaj, bisedimet e anëtarësimit duhet të shoqërohen me një angazhim për paqen, sigurinë dhe vlerat brenda Bashkimit Evropian. “Prandaj jam jashtëzakonisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit, veçanërisht në Serbi, në lidhje me tendencat propagandistike nacionaliste”, tha ministrja e Jashtme gjermane.
Qëndrimi i Serbisë ka ndikim edhe në çështjen e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet Serbisë dhe BE-së. “Kjo do të thotë gjithashtu se ne po i ndjekim nga afër zgjedhjet e reja në Serbi”, tha Baerbock. Qeveria serbe duhet të zbatojë rekomandimet e OSBE-së në lidhje me institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut nga zgjedhjet e fundit në vitin 2020, paralajmëroi Baerbock.
Shefja e diplomacies gjermane përmendi në mënyrë specifike “dështimin për të garantuar qasje të barabartë në media për të gjithë kandidatët politikë në të kaluarën” dhe foli për presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e funksioneve dhe burimeve publike nga qeveria serbe.
“Kjo është arsyeja pse është po aq e rëndësishme që t’i shikojmë nga afër këto pika me synimin për zgjedhjet e reja,” tha Baerbock. Edhe nëse disa nga këto pika janë në të kaluarën, ato janë ende një problem sot.
Baerbock ishte në Lubjanë për një vizitë të shkurtër dypalëshe. Atje ajo foli me kolegen e saj sllovene Tanja Fajon./Euronews.al