Nuk mund të mungonte reagimi i FIFA-s në lidhje me vendimin e sotëm të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian mbi Superligën. Qeveria e Futbollit Botëror tregohet shumë e kujdesshme në qëndrimin e saj, edhe pse I mëshon fort bashkëpunimit të saj me UEFA-n dhe konfederatat sportive, për ruajtjen e piramidës aktuale të futbollit.
Qëndrimi i FIFA-s:
“FIFA ka marrë parasysh vendimin e dhënë sot nga Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në lidhje me Kompaninë Evropiane të Superligës SL. FIFA do të analizojë vendimin në koordinim me UEFA-n, konfederatat e tjera dhe shoqatat anëtare përpara se të bëjë komente të mëtejshme.
Në përputhje me statutet e saj, FIFA beson fort në natyrën specifike të sportit, duke përfshirë strukturën piramidale – e cila bazohet në meritat sportive – dhe parimet e ekuilibrit konkurrues dhe solidaritetit financiar.
Futbolli ia detyron historinë e tij të gjatë dhe të suksesit parimeve të lartpërmendura, të cilat FIFA, konfederatat dhe shoqatat anëtare do të vazhdojnë t’i promovojnë në të ardhmen, në interes të të gjithë tifozëve të futbollit në mbarë botën.”