Berisha refuzon gjykatën, nuk paraqitet në BKH. Publikon videon nga parlamenti

Ish-kryeministri Sali Berisha duhej të paraqitej këtë të hënë në orën 10:00 në Byronë Kombëtare të Hetimit, në bazë të vendimit të GJKKO, ku ndaj tij është aktuar masa “Detyrim Paraqitje”.

Me sa duket ish-kryeministri nuk do të paraqitet as këtë fillim muaji pranë organeve të drejtësisë, pasi ai aktualisht ndodhet në ambientet e parlamentit të Shqipërisë.

Berisha ka shpërndarë në facebook pak minuta më parë një video, ku shihen përplasjet e deputetëve të PD me Gardën e Republikës në ambientet e parlamentit.

Përplasja mes deputetevë dhe ligjvënësve të PD erdhi pasi garda kërkoi të kryente kontrollin e tyre fizik në nisje të seancës plenare.

Kujtojmë se Sali Berisha është person nën hetim në dosjen “Partizani” për “Korrupsion pasiv i funskionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i K.Penal”.

Për Sali Berishën është vendosur masa e sigurisë “Detyrim paraqitje”, ndërsa ndaj dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi u caktua fillimisht masa “Arrest me burg”, e cila më pas u ndryshua në “Arrest shtëpie”.

Masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” i është dhënë edhe ndërtuesit Fatmir Bektashi.

Berisha nuk i ka respektuar vendimet e dhëna nga gjykata, pasi sipas tij është shkelur Kushtetuta dhe prokuroria nuk i është drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit.