“Të gjitha partitë pro-evropiane duhet të rreshtohen në një front të përbashkët”, kështu vlerësojnë analistët politik për PRESSonline.al, duke folur për ecurinë e vendit drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe pengesat qe po i bëhen këtij rrugëtimi nga opozita maqedonase dhe forcat destruktive pro-ruse.
“Në Qeverinë e ardhshme ka vend për të gjithë ato forca progresive dhe këtu partitë shqiptare nuk mund të përjashtohen. Gabimi i disa prej tyre është se kanë rënë në kurthin e VMRO DPMNE-së që do pushtetin të gjithin për vete dhe në qeveri të ketë parti të dëgjueshme shqiptare vetëm si formalitet. Me VMRO DPMNE-në shqiptarët nuk do kenë pushtet kurrë. Pra problemi është tek partitë nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE dhe LEVICA. Këto dy parti patën mjaftë kohë për të reflektuar por u pa sheshit se ata nuk ndryshojnë kursin dhe qëllimi i tyre i vetëm është pushteti dhe vetëm pushteti. Ata janë me ‘popullin’ kundër ndërkombëtarëve. Ata zgjodhën kartën nacionaliste me një fushatë të nisur para kohe dhe që do të ngritën tonet ende më shumë”, deklaroi analisti Urim Saliu për PRESSonline.al
Sot, shton ai, kemi “Frontin për Europë” dhe atë nacionalist në një përplasje të ashpër për integrimin e vendit apo kthimin mbrapshtë drejt regresit.
“Forcat pro evropiane duhet ta mposhtin këtë frymë pro ruse sepse këtë kosto nuk është duke e paguar politika por qytetarët. E mira do ishte që gjithë partitë pro-evropiane të jenë në një front të përbashkët sepse bëhet fjalë për të ardhmen e vendit dhe jo kush do jetë pjesë e pushtetit”, nënvizon Saliu.
Në anën tjetër, ish-deputeti Zudi Xhelili thotë se për të përmbyllur me suksese një mision të kamotshëm siç është anëtarësimi në BE, duhet unitet i partive pro-evropiane duke vepruar në një FRONT të përbashkët.
“Situata politike në Ballkanin Perëndimor në vazhdimësi është e tensionuar. Agresioni rus në Ukrainë edhe më tepër i alarmoi faktorët ndërkombëtar dhe sidomos ata Evropian se kontinenti i vjetër duhet të unifikohet, të zgjerohet edhe në vendet që ende presin anëtarësim. Hapja e bisedimeve me Ukrainën dhe Moldavinë është sinjal i qartë se një gjë e tillë duhet sa më shpejt të ndodh edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse Maqedonia e Veriut nga moti pretendon ti filloj bisedimet për anëtarësim në BE, ekzistojnë forca destruktive që e pengojnë këtë proces. Propozimi francez është zgjidhje e pranueshme për vendin dhe u dashtë të zbatohet, opozita maqedonase do e vonojë procesin e hapjes së bisedimeve, por sa më tepër vonohemi ndoshta një ditë do të paguajmë çmim më të lartë”, shprehet Xhelili në prononcim për PRESSonline.al
Sipas tij, partitë politike shqiptare duhet të distancohen qëndrimet e opozitës maqedonase që të ngelin të izoluar.
“Çdo bashkëpunim i partive shqiptare mes veti duhet të jetë në interes të anëtarësimit të vendit në BE. Situata në Kosovë, në Bosnje, disa ngjarje këtu na bëjnë me dije se partitë pro evropiane të veprojnë fuqishëm dhe sa më të bashkuar”, thotë ai.