Medai Shaholli
Kohë më parë kasnecët Vetëvendosjes nga Tirana dhe Prishtina lajmëruan opinionin e gjerë në Maqedoni se tashmë ishin pjekur kushtet për themelimin e lëvizjes Vetëvendosje këtu si nevojë e kohës dhe duke e bërë plotë spekrin politik në kampin shqiptar nga e djathta në të majtë.
Të them të drejtën nuk besoj se në këto rrethana dhe me këtë gatishmëri që mbretëron në këtë pjesë te shqiptarisë të formohet Vetëvendosja edhe në MV, ku për shkak filozofisë politike dhe të programit ajo do të zvarritet nëpër gjykatat sllave, ku përfundimisht atë nuk do ta regjistrojnë si lëvizje të tillë me program si ajo e Kosovës.
Në të kundërtën, nëse ajo do ‘rrefehej te prifti i drzhaves” si partiçkat e tjera shqiptare dhe betohet për ‘lojalitet ndaj drzhavës dhe pushtetit’, nuk do të kenë asnjë problem për t’u regjistruar si subjekt politik.
Në radhë të parë mendoj se shqiptarët e ‘Severnës’ nuk mbështesin parti apo lëvizje të majta pasi kanë alergji për të majtën që e ngatërrojnë gabimisht dhe e lidhin me komunizmin.
Lëvizje e majtë nuk do të thotë komuniste. Çuditërisht shqiptarët e ‘Severnës’ të majtën e urrejnë, por ama një pjesë voton për të majtën sllave siç është SDSM-ja, e cila ka marr mjaftë vota nga elektorati shqiptar në zgjedhjet e fundit parlamentare, pa çka se përfaqësohet nga titistët e rinj!
E majta sllavo-maqedone siç ështe SDSM-ja për injorancën shqiptare si duket nuk paraqet asnjë problem, ndërsa e majta shqiptare paraqet problem duke i konsideruar ata si enveristë të thekur.
Paradoksal është fakti se Vetëvendosjen këtu do ta përfaqësojnë liberalët djathtë si zotërinjtë Blerim Reka dhe Bekim Qoku!
Njëri si ish ambasador i ‘drzhavës’ në Bruksel dhe tjetri ish deputet i PDSH. Pa vënë në dyshim kapacitetet intelektuale të të dyve, këta dy udhëheqës të përzgjedhur gabimisht nga Albini nuk mund të çajnë përpara si liberale të djathtë me një të majtë siç është Vetëvendosja, të paktën me metodat që përdori Vetëvendosja në Kosovë.
Nuk mund t’i besohet një ish ambasadori të ‘drzhavës’ të udhëheq një lëvizje si Vetëvendosja jo vetëm për faktin se nuk i posedon kapacitetet intelektuale por, janë parimet dhe qëndrimet e një të moderuari të ‘drzhavës’ që nuk mund të dalë kundër padronëve të tij që e bënë ambasador dhe ta përfaqësojë Vetëvendosjen dhe filozofinë e saj politike si e majtë radikale, ashtu siç veproi Vetëvendosja dhe Albin Kurti në Kosovë kur ishte në opozitë ( megjithëse tani VV është shëndrruar si lëvizje e moderuar e qendrës së majtë) në luftën e saj për pushtet.
Zotërinjve Qoku dhe Reka u duhet fillimisht të rebelohen kundër vijës zyrtare të ‘drzhavës’ me metoda ‘revolucionare’ të së majtës radikale, gjë që nuk ka për të ndodhur, jo sepse nuk kanë atë ideal dhe bindje ideologjike të së majtës, por se nuk munden sepse nuk janë nga ata ‘burra revolucionarë’ sa të qëndrojnë në rrugë me ditë të tëra duke protestuar përballë qeverisë së ‘drzhavës Severna’, që trajton shqiptarët si qytetarë të dorës së dytë, për më tepër të qëndrojnë ‘pa u tërhequr nga istikami’ në frontin e hapur para organeve represive të pushtetit për kauźën e madhe te barazisë së plotë të shqiptarëve me sllavo-maqedonët!
Albin Kurti erdhi përmes aksioneve revolucionare në pushtet duke premtuar nga programi majtist për shëndetësinë dhe arsimin falas…duke premtuar të drejtat e bujqëve dhe punëtorëve…dhe shumë politika sociale si atribute të së majtës.
Të dy këta, si z.Qoku edhe z.Reka, nuk përfaqësojnë të majtën radikale e as të moderuar në ‘drzhavën Severna’, ndaj as si Vetëvendosje e moderuar ajo nuk mund të instalohet këtu pasi ndryshojnë rrethanat që ndryshe janë në Kosovë dhe ndryshe këtu edhe për shkak të disponimit të çuditshëm të elektoratit shqiptar ndaj të majtës.
Duket paradoksale të mendosh se dy personalitetet e së djathtës liberale siç janë zotërinjtë e nderuar Blerim Reka dhe Bekim Qoku, ta bëjnë ‘kthesën e madhe revolucionare’ në Maqedoni pa metodat dhe mjetet që përdori Vetëvendosja dhe Albini në Kosovë!
Themelimi i Vetëvendosjes si e majtë radikale në Maqedoni mendoj se nuk mund të eksperimentohet jo vetëm për shkak se shqiptarët e këtushëm kanë alergji për të majtën shqiptare (shumë nga shqipot tanë të majtën shqiptare e barazojnë me komunizmin ndërsa SDSM-në jo, pasi atë e ka themeluar shoku Tito) si lëvizje të tilla nuk i kanë për qejf, por edhe për faktin se nuk ka një lider të majtë si Albin Kurti, të gatshëm të përleshet e të vërvitet çdo ditë me pushtetarët sllavë në luftën pakompromis për barazinë e shqiptarëve me sllavët.
Fatkeqësisht, një lider i tillë majtist siç ishte Albini ( tani Albini tashmë ka bërë kthesën e madhe, ku është moderuar dhe ka hequr dorë nga programi i së majtës radikale) i djeshëm në opozitë, këtu një i tillë në këtë pjesë të Iliridës nuk ka lindur akoma.
Ndaj, përpjekjet këtu në ‘drzhavën Severna’ për ta patur një Vetëvendosje dhe ‘një lider revolucionar’ si Albini’ kur ishte në opozitë, janë ende larg për t’u bërë realitet.
Mbase vjen një ditë!