Zyrtarët izraelitë njoftuan se 13 pengje të tjera izraelite do të lirohen sot si pjesë e marrëveshjes së arritur me grupin palestinez Hamas, transmeton Anadolu.
Duke cituar një burim të paidentifikuar, gazeta “Yediot Ahronot” raporton se lista e pengjeve që Hamasi do të lirojë sot ka mbërritur në administratën e Tel Avivit.
Zyrtarët izraelitë thanë se Hamasi do të lirojë sot 13 pengje të tjera izraelite.
Në deklaratën e shërbimit për media të qeverisë, thuhet se për këtë janë njoftuar familjarët e pengjeve që pritet të lirohen sot.
Si pjesë e marrëveshjes së arritur mes Hamasit dhe Izraelit, të premten dhe të shtunën u liruan reciprokisht 26 pengje izraelite dhe 78 të burgosur palestinezë.
Si pjesë e marrëveshjes, është planifikuar të lirohen 50 pengje izraelite dhe 150 të burgosur palestinezë brenda katër ditëve.