Politikania serbe e Kosovës, Rada Trajkoviç deklaroi se me pranimin e draftit të Asociacionit, presidenti serb ka pranuar integritetin territorial të Kosovës. Në një intervistë për median serbe ajo është shprehur se Aleksandër Vuçiq ka njohur identitetin e shtetit të Kosovës dhe tashmë i duhet që të ndryshojë dhe Kushtetutën e Serbisë.
Gjithashtu shtoi “Vuçiç pranoi integritetin territorial të Kosovës, tani edhe veçoritë kombëtare të Kosovës. Ai pranon gjithçka që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë”, tha ajo duke iu referuar ofensivës së Bashkimit Evropian për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, Bruksel, 27 shkurt dhe Aneksit të Implementimit në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ajo u shpreh se tashmë duhet që Vuçiçq të sqarojë se në çfarë mënyrë do ta pranojë Kushtetuta e Serbisë themelimin e Asociacionit.
“Ku janë ekspertët për të shpjeguar se çfarë po ndodh me Kushtetutën e Serbisë. Ku është Kushtetuta e Serbisë? Nën betimin e Vuçiq, në çfarë mënyrë do ta pranojë kushtetuta Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?”, tha ajo.