Takimi i Bekteshit me Faisal F. Alibrahim, Ministër i Ekonomisë dhe Planifikimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite: Marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik mund të thellojë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve
Shkup 10.11.2023
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka zhvilluar sot takim me ministrin e
Ekonomisë dhe Planifikimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, SH.T. Faisal Alibrahim.
Në takim u konstatua zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.
Ministri Bekteshi i ka përcjellë kolegut të tij, ministrit të Ekonomisë dhe Planifikimit të Arabisë Saudite, rezultatet makroekonomike të arritura nga Republika e Maqedonisë së Veriut në periudhën e kaluar, si dhe mundësitë dhe potencialet për investime në vendin tonë.
Të dy bashkëbiseduesit dakordësuan se për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve, në periudhën e ardhshme është e nevojshme nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Arabisë Saudite, e cila do të vendosë bazat për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, si dhe mundësia e organizimit të një forumi biznesi ndërmjet investitorëve dhe kompanive nga të dy vendet.
Në takim, të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për fushat e mundshme për bashkëpunim në të ardhmen, të cilat do të intensifikojnë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.