Shqipëria do të sfidojë Moldavinë për herë të shtatë në histori. Kuqezinjtë e Sylvinhos zbresin në fushën e “Stadionul Zimbru” me misionin për të prerë biletën në Gjermani 2024 dhe për të ruajtur pathyeshmërinë ndaj këtij kundërshtari.
Në gjashtë duelet e mëparshme kundër Moldavisë, Shqipëria ka regjistruar 5 fitore dhe një barazim, në miqësoren e gushtit të vitit 2012 në Shqipëri. Ndeshje që përfundoi në barazim pa gola.
Ndërkohë që takimet e tjera kanë qenë për eliminatoret e Europianëve. Të pesta të fituara nga kombëtarja shqiptare.
Vlen për t’u theksuar se kuqezinjtë kanë pësuar gol nga Moldavia vetëm në një sfidë. Ishte përballja e qershorit të vitit 1995. Duel i vlefshëm për fushatën kualifikuese të Angli 1996, të cilin Shqipëria e fitoi 2-3 në Kishinjev.
Suksesi u fundit u regjistrua në qershorin e këtij viti në “Air Albania”, me djemtë e Sylvinhos që mposhtën Moldavinë 2-0 falë realizimeve të Jasir Asanit dhe Nedim Bajramit.
Bilanci i përballjeve mes Shqipërisë dhe Moldavisë
29 mars 1995: Shqipëri-Moldavi 3-0 / Kampionati Europian
7 qershor 1995: Moldavi-Shqipëri 2-3 / Kampionati Europian
15 gusht 2012: Shqipëri-Moldavi 0-0 / Miqësore
11 qershor 2019: Shqipëri-Moldavi 2-0 / Kampionati Europian
14 tetor 2019: Moldavi-Shqipëri 0-4 / Kampionati Europian
17 qershor 2023: Shqipëri-Moldavi 2-0 / Kampionati Europian