Shqiptarët dhe palestinezët


Këta dy popuj janë me besim në dy fe, në myslimanë dhe të krishterë. Gjatë gjithë historisë, këta dy popuj kanë pasur tolerancë dhe harmoni fetare. Narrativi i dytë konsiston me aspiratat, idealet dhe kauzën e këtyre dy popujve me dy fe, kanë pasur të njëjtën gjeostrategji dhe impakt politik, për një shtet të përbashkët, si tek shqiptarët, ashtu edhe tek palestinezët.

Shkruan: Merxhan Jakupi

Populli shqiptar dhe ai palestinez, gjatë historisë, kanë pasur atribute, tipare dhe narrative gati të njëjta. Këta dy popuj janë me besim në dy fe, në myslimanë dhe të krishterë. Gjatë gjithë historisë, këta dy popuj kanë pasur tolerancë dhe harmoni fetare. Narrativi i dytë konsiston me aspiratat, idealet dhe kauzën e këtyre dy popujve me dy fe, kanë pasur të njëjtën gjeostrategji dhe impakt politik, për një shtet të përbashkët, si tek shqiptarët, ashtu edhe tek palestinezët. Idealet dhe aspiratat e popullit palestinez akoma janë duke vazhduar, kurse shqiptarët, në fillim të shekullit 21, nuk arritën bashkimin kombëtar, por arritën vetëm atë që të bëhen me dy shtete.

Shqiptarët, pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, u ndanë në dy gjymtyrë. Katër vilajetet shqiptare u ndanë në tre shtete. Në Shqipërinë londineze, më shumë se gjysma e popullit mbeti jashtë, e ndarë, një në Jugosllavinë monarkiste dhe tjetra në Greqi. Në Jugosllavin e Titos, më 1948, rezolucioni i Informbyrosë u vu për një ndarje të hekurt, me gjemba dhe fusha të minuara mes kufirit shqiptaro-shqiptar.

Po ashtu, populli palestinez ka qenë nën Perandorinë Osmane. Pas tërheqjes së ushtrisë osmane, Palestina u aneksua nga Britanikët dhe më 1948 u nda në dy shtete: në shtetin e ri Izraelit dhe në Palestinë.

Më se gjysmë shekulli, në Shqipërinë komuniste dhe në Jugosllavinë e Titos, kombi shqiptar jetonte i ndarë hermetikisht. Shqiptarët, në të dy anët, nuk mund të udhëtonin, të vizitonin familjet dhe farefisin e tyre, si dhe të merrnin viza për vizitë në Shqipëri ose shqiptarët e Shqipërisë, për të ardhur në Kosovë, Maqedoni apo në trevat e tjera, për t’i vizituar bashkëkombësit e tyre.

PERDJA E HEKURT NË RRIPIN E GAZËS

Më se 17 vjet, populli palestinez jeton në enklava, i ndarë sikur populli shqiptar në periudhën komuniste. Më se 3 milionë palestinezë jetojnë në Bregun perëndimor, 2.3 milionë jetojnë në Rripin e Gazës dhe 2.5 milionë janë në vatrat e tyre, por trajtohen si qytetarë të dorës së ditë në shtetin izraelit. Pjesa tjetër e palestinezëve janë të shpërndarë si refugjatë dhe emigrantë nëpër botë.

Afër gjysma e popullit palestinez që jeton në Rripin e Gazës është në geto dhe enklava. Gaza rrethakohet me mure të larta dhe fusha të minuara, me Izraelin. Po ashtu, nga deti është e rrethakuar nga marina ushtarake izraelite, të vetmen dalje kanë nga kufiri me Egjiptin. Banorët e Gazës nuk mund të udhëtojnë pa leje të qeverisë së Izraelit. Nuk mund të vizitojnë pjesën tjetër, Bregun perëndimor, bashkëkombësit e tyre. Shumë familje të ndara, vite të tëra, nuk mund të shkojnë nga bregu perëndimor për në Gaza dhe anasjelltas. Ka familje, dekada me radhë, nuk kanë pasur kontakte, përveç korrespondencës me letra ose në mënyrë virtuale.

Në Bregun perëndimor, ku jetojnë në enklava, vazhdojnë reprezaljet, ku tre muajt e fundit janë vrarë mbi 100 palestinezë nga ushtarët izraelitë, por dhe nga kolonët. Vetë qeveria e Benjamin Natanjahut dhe krahu ortodoks, populist, Likud, ka shpërndarë armë kolonëve kinse janë të rrezikuar nga terroristët palestinezë. Bregu perëndimor gjithnjë vazhdon me dëbimin e palestinezëve dhe sjelljen e kolonëve, ku në pronat dhe shtëpitë e palestinezëve fillojnë ndërtimet, si pallate, lagje të reja të kolonëve, kurse familjet palestineze jetojnë në periferi, në tenda ose kasolle.

Në dekadat e fundit, territoret e banuara me palestinezë janë duke u zvogëluar, shkaku i vazhdimit të uzurpimit dhe okupimit të pronave palestineze në Bregun perëndimor dhe Jerusalemin lindor. Një grua palestineze, e krishterë, në Bregun perëndimor, i rrëfen një gazete të huaj se më se 15 vjet nuk i ka vizituar prindërit dhe vëllezërit në Gazë; se palestinezëve të krishterë nuk u lejohet të shkojnë në Betlehem, në kishën e Krishtit, për të marrë pjesë në meshë, sikurse palestinezëve myslimanë nga provinca, nuk u lejohet të premteve të vinë për rituale dhe falje në xhaminë Al Aksa. Kjo grua rrëfen se femra e parë që ka hedhur veten në ajër, me dinamit, para tre dekadave, ka qenë kushërira e saj, palestinezja me barrë 6 muajsh.

Kjo palestineze e krishtere vazhdon të rrëfejë se si i kujtohet, para dy dekadave, mes natës, duke fjetur me familjen, me 5 fëmijë, kishin ardhur ushtarët dhe u kishin thanë që t’i mbledhnin plaçkat dhe ta lëshojnë shtëpinë.

KONFLIKTI MES HAMASIT DHE PARTIVE EKSTREMISTE

Solucioni për arkitekturën dhe planin e dy shteteve, Palestinës dhe Izraelit, ka mbetur në qorrsokak. Sipas ekspertëve dhe analistëve, derisa Hamasi, një organizatë ekstremiste, radikale dhe partitë ultra-ortodokse, fanatike dhe populiste janë në skenën politike, nuk do të ketë paqe dhe bisedime në të ardhmen mes këtyre dy shteteve. Hamasi, një kukull dhe marionetë e Iranit, me doktrinën e saj të mospranimit të shtetit hebre, me teza anti-perëndimore, anti-amerikane dhe anti-semitiste, me ideologji dogmatike të xhihadiste, nuk do të ketë paqe. Po ashtu, edhe qeveria e Benjamin Natanjahut, me karakteristika populiste, me partitë ultra-ortodokse, që kanë urrejtje patologjike, janë kundër çdo opsioni për paqe dhe për një projekt mes dy shteteve, për një konfederatë palestineze-izraelite.

Po ashtu, derisa 22 shtete arabe janë të përçara, të ndara në aleanca, shtete me regjime autoritare, totalitare dhe despotike, konflikti do të vazhdojë edhe në të ardhmen, derisa bota e civilizuar është duke ndenjur pasive. Ekzistojnë skenarë tragjikë, siç ndodhi kohëve të fundit në Rripin e Gazës, me një përshkallëzim të paparë deri më tash të luftës dhe masakrave gjenocidale, që mund të përhapet edhe në rajon.