Shoigu: Rusia do të rrëzojë të gjithë avionët F-16 që i janë premtuar Ukrainës

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu deklaroi sot se sipas statistikave, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore do të rrëzojnë të gjithë avionët luftarakë F-16 që i janë premtuar Ukrainës brenda 20 ditëve, raporton Anadolu.

Duke folur në një takim në Moskë, Shoigu tha se gjithsej 1.400 objektiva ajrore, përfshirë 37 avionë ukrainas dhe gjashtë raketa ATACMS, u rrëzuan në tetor.

“Dua të theksoj se 37 avionët (të cilët u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ruse në muajin e kaluar) janë pothuajse dyfishi i numrit të avionëve F-16 të garantuar për Ukrainën. Apo, me një funksionim të tillë të sistemit tonë të mbrojtjes ajrore, bëhet fjalë për 20 ditë punë”, tha ai.

Shoigu tha se Ukraina ka mbetur pa rezerva, se ushtarët e saj janë të demoralizuar dhe se pavarësisht furnizimit me armë të reja nga NATO, ushtria ukrainase po tërhiqet.

Në gusht, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës në Danimarkë dhe Holandë, tha se me lejen e SHBA-së, disa vende perëndimore ranë dakord për transferimin e avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë.