Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit mund të frymëzojë kërcënimin më të madh terrorist ndaj SHBA që nga Formimi i të ashtuquajturit Shteti Islamik, rreth një dekadë më parë paralajmëroi drejtori i FBI, Christopher Wray, në një seancë dëgjimore në komitetin e Sigurisë Kombëtare të Senatit Amerikan.
Ai theksoi se nuk ka tregues që vetë Hamasi të synojë apo të ketë kapacitete për të kryer sulme në SHBA
“Ne vlerësojmë se veprimet e Hamasit dhe aleatëve të tij do të shërbejnë si një frymëzim, të ngjashëm me të cilin nuk kemi parë që kur ISIS filloi të ashtuquajturin kalifat disa vite më parë. Vetëm në javët e fundit, shumë organizata të huaja terroriste kanë bëri thirrje për sulme kundër amerikanëve dhe Perëndimit”, tha u tha senatorëve kreu i FBI.
“Realiteti është se kërcënimi nga terrorizmi është ngritur gjatë gjithë vitit 2023, por lufta e vazhdueshme në Lindjen e Mesme e ka ngritur kërcënimin e një sulmi kundër amerikanëve në Shtetet e Bashkuara në një “nivel tjetër”, tha Wray.
Pas sulmit të 7 tetorit të Hamas ndaj Izraelit, agjensitë amerikane të inteligjencës janë të shqetësuar se të ashtuquajturit “ujqit e vetmuar” mund të synojnë akte terroriste në vendet perëndimore.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit thonë se ata ende nuk kanë hasur në ndonjë kërcënim specifik të besueshëm terrorist kundër amerikanëve në tokën amerikane, por mbeten vigjilentë.
“Jemi në një periudhë të rrezikshme” “Kjo nuk është një kohë për panik”, tha ai. “Por është një kohë për vigjilence”, paralajmëroi amerikanët kreu i Byrosë kombëtare të Hetimit
Numri i sulmeve ndaj bazave ushtarake amerikane jashtë shtetit nga grupet e mbështetura nga Irani është rritur këtë muaj, tha zoti Wray.
Sulmet kibernetike kundër SHBA-së nga Irani dhe aktorët joshtetërorë ka të ngjarë të përkeqësohen nëse konflikti zgjerohet, tha ai.
ISIS dhe Al Kaeda gjithashtu kanë bërë thirrje për veprim, tha shefi i FBI në kongres, duke theksuar se po ndjekin me kujdes zhvillimet
Qeveria amerikane ka parë një rritje të kërcënimeve kundër hebrenjve, myslimanëve dhe arabo-amerikanëve që nga shpërthimi i luftimeve në Gazë, kanë thënë zyrtarët.
Në një takim për sigurinë kibernetike të organizuar nga Shtëpia e Bardhë të martën, kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland tha se ai kishte udhëzuar Departamentin e Drejtësisë që të ndihmonte hetuesit izraelitë për rastet e financimeve për Hamasin, përfshirë edhe kriptovalutat.