Serie A vendosi një rekord të ri shikueshmërie

Mbi 6.2 milionë shikues u kyçën në “DAZN” gjatë fundjavës të fundit për të parë ndeshjet e xhiros së 10-të të Serie A, një rekord i ri shifrash, duke thyer numrin e mëparshëm, i cili u vendos vetëm një javë më herët.

Xhiro e dhjetë ishte interesante në elitën italiane, pasi përfshinte takime midis Interit dhe Romës, Napolit dhe Milanit, si dhe Lazios e Fiorentinas.

Para kësaj xhiroje, numri më i lartë i shikuesve për një xhiro të vetme të ndeshjeve në Serie A ishte 6.1 milionë, i cili u vendos në xhiron e nëntë të këtij sezoni.

Ndeshja më e ndjekur në Itali këtë fundjavë ishte përplasja e shumëpritur mes Interit dhe Romës, e cila solli edhe rikthimin e Romelu Lukakut në “Guiseppe Meazza” për herë të parë që nga largimi i tij.
Mbi 1.7 milionë shikues e ndoqën fitoren e “Nerazzurëve”, ndeshje kjo e dyta më e ndjekur e sezonit pas asaj mes Milanit dhe Juventusit, që u ndoq nga 1.98 milionë shikues. Kjo ndeshje i takoi xhiros së nëntë.

Ndërkohë, ndeshja mes Napolit dhe Milanit pati në total prej rreth 1.6 milionë shikuesve të dielën në mbrëmje, sipas shifrave të “DAZN”, të raportuara nga “La Gazzetta dello Sport”.