Ramadani shfaqet me imazhin e Adem Jasharit në bluzë, flet i emocionuar pas ndeshjes

Kombëtarja e Shqipërisë siguroi sonte edhe matematikisht kualifikimin për në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kombëtares shqiptare i mjaftoi një barazim 1:1 me Moldavinë, për të siguruar vendin në mesin e 24 kombëtareve më të mira në Evropianin që do të mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Në intervistën pas ndeshjes, Ylber Ramadani u paraqit me një bluzë me imazhin e komandantit legjendar, Adem Jashari.
“Në këtë bluzë kam luftëtarin që ka luftuar. Ia dolëm e bëmë të lumtur të gjithë shqiptarët. Ishim nervozë para ndeshjes. Pas ndeshjeve kurrë nuk jam ndier kështu, arritje e madhe”, tha fillimisht ai pas ndeshjes për “Supersport”.

“Harmonia në grup, jemi të bashkuar, është fantastike. Jemi të bashkuar, në çdo cep të fushës e mbështetim njëri-tjetrin. Grupi është fantastik, shpresoj të vazhdojmë kështu”, shtoi Ramadani.