Rama: Ali Ahmeti luftonte për flamur, sot shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e pandashme e qeverisjes
Në edicionin e tretë të Samitit të Diasporës në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se ka shumë më tepër për të bërë, por që sipas tij “shqiptarët si sot nuk kanë qenë kurrë më parë”. Rama mori si shembull avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por edhe shembullin e Malit të Zi, ku Dritan Abazoviq, një shqiptar, qeverisi vendin për një periudhë.
“Ali Ahmeti luftonte për të drejtën e një flamuri, që nuk mund të ishte dot në përmasa të barabarta, me flamurin e Maqedonisë, por duhet të ishte një flamur më i vogël dhe luftohej për centimetrat e një flamuri, ndërkohë flamuri shqiptar i vendosur nëpër ballkone për ditë feste, mund të ishte një arsye që të shkoje në burg, ndërkohë që sot, jo vetëm që flamuri shqiptar aty është i pakufizuar nga centimetrat për ata që duhen ta qepin, por sot ne kemi në RMV shqiptarët që janë jo vetëm pjesë e pandashme e shtetit, por janë pjesë e pandashme e qeverisjes. Me kryetarin e Parlamentit, me ministrin e Jashtëm, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut është shqiptar, me zv/kryeministrin”, tha Rama.