Protesta e tifozëve të Borussia Dortmundit kundër UEFA-s, ky ishte mesazhi i tyre sonte
Tifozët e Borussia Dortmundit janë parë duke hedhur shufra të rreme prej ari në fushë gjatë ndeshjes së tyre në Ligën e Kampionëve, kundër Newcastle United, të cilën skuadra gjermane e fitoi sonte me rezultatin 2:0.
Tifozët janë të pakënaqur me reformat e planifikuara të UEFA-s në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm dhe e bënë publike qëndrimin e tyre me një protestë gjatë ndeshjes së kësaj mbrëmjeje.
Krahas shufrave të arit, para të rreme u hodhën gjithashtu në fushën e stadiumit “Signal Iduna Park”, me një parullë të shfaqur në fundin e “Murit të Verdhë”.
Në pankartë shkruhej: “Nuk ju intereson sporti. Gjithçka që ju intereson janë paratë”, ndërsa tifozët e Dortmundit brohoritën: “Ju po shkatërroni sportin tonë”, ndërkohë që protesta vazhdonte.
Formati i ri, i cili do të prezantohet nga fillimi i sezonit 2024/25, do të shohë që faza tradicionale e grupeve të ndryshohet në një “fazë të ligës” me 36 ekipe, ku çdo skuadër do të luajë nëntë ndeshje kundër kundërshtarëve të ndryshëm.
Tetë skuadrat e para do të kalojnë automatikisht në 16-shen e më të mirëve, ndërsa skuadrat e renditura nga e nënta deri në vendin e 24-të duhet të luajnë me njëra-tjetrën në një “play-off” me eliminim direkt, me ndeshje të sistemit vajtje-ardhje.