Pamje nga operacioni i evakuimit të 300 personave të bllokuar në Qafë Murrizë. Pas 7 orësh, nis qarkullimi i automjeteve (VIDEO)

Pas më shumë se 7 orësh pritje, ka nisur zhbllokimi i rrugës në Qafë Murriz, ku pas reshjeve intensive të dëborë u bllokuan në mjetet e tyre rreth 300 qytetarë.

Borëpastrueset kanë mundur të futen në këtë aks, duke bërë që të mjetet të nisin qarkullimin.

Siç shihet edhe nga pamjet, Policia bën evakuimin ndërsa shoferët mundohen që të ndihmojnë njëri-tjetrin për të lëvizur mjetet, për t’u kthyer kështu në Tiranë.

SHTYP KETU PER TE PARE VIDEON:

Njoftimi i Policisë:

📌Qafë Murrizë/Policia evakuoi të gjithë pasagjerët që ndodheshin në automjetet e bllokuara për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme, nëpërmjet automjeteve të kalueshmërisë së lartë, bënë të mundur evakuimin e 50 pasagjerëve që ndodheshin në automjete në bypass Qafë Murrizë, duke i nxjerrë nga zona ku kishin mbetur të bllokuar dhe po i transportojnë në destinacionet e tyre, në Klos, Bulqizë dhe në Peshkopi. Ndërkohë, borëpastrueset po punojnë intensivisht për pastrimin e rrugës, për të bërë të mundur që dhe automjetet të vijojnë lëvizjen. Drejtuesit e automjeteve të qëndrojnë në makina pasi po punohet intensivisht që për pak minuta të fillojë lëvizja e automjeteve. Shërbimet e Policisë, pavarësisht kushteve të vështira të motit, ndodhen në krye të detyrës, për t’iu dhënë ndihmë të gjithë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, dhe apelojnë edhe një herë për shmangie të qarkullimit në rrugën e Arbrit. Gjithashtu, Policia Rrugore apelon që dejtuesit e automjeteve të moderojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën dhe në rast nevoje të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.