Palestina në kërkim të një Jaser Arafati të ri


Merxhan Jakupi

Cikli i dy luftërave të fundit në Evropë dhe në Lindjen e Afërt, sipas gazetës “Washington Post”, konsistojnë me mungesën e lidershipit të vërtetë. Bota ka nevojë për një lidership elitar, prototip, ngjashëm si Winston Churchill dhe John Kennedy. Në këtë paralele, edhe konflikti dhe luftërat në Lindjen e Mesme, mes palestinezëve dhe hebrenjve kanë nevojë për dy liderë karizmatikë, sikundër Jasar Arafati dhe Isak Rabini. Këta liderë ishin të vetmit aktorë që mund të sillnin paqen mes dy popujve, atij palestinez dhe hebre. Lideri hebre, Isak Rabin, mbeti i vrarë në një atentat nga një fanatik, kurse Jasar Arafat u helmua me platium. Këta dy liderë kanë qenë armiq të përbetuar, por, në fund këta, u shndërruan në liderë pacifist dhe morën Çmimin Nobel, duke nënshkruar Traktatin e Paqes dhe njohjen e dy shteteve sovrane, Izraelit dhe Palestinës. Së këndejmi, në këtë luftë të tmerrshme, tash e më shumë se një muaj mes Hamasit dhe Izraelit, disa qarqe diplomatike në botë po kërkojnë që të gjejnë një Jaser Arafat të ri, që do t’i pajtonte palët e konfrontuara.

Çe Gevara i Lindjes së Mesme 

Lideri palestinez, Jasar Arafat, në fillim ishte një nacionalist pan-arab, ekstremist, radikal dhe bota demokratike perëndimore e konsideronte si terrorist, kurse për pjesën tjetër të botës, Arafat ishte një Çe Gevara i Lindjes së Mesme. Jasar Arafat, në fjalimet brilante në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju-jork, kishte deklaruar se britanikët kolonialistë e kishin quajtur presidentin amerikan George Washington si një terrorist, sikundër Gjermania naziste e shpalli terrorist, francezin Sharl de Gol. Jasar Arafat, si simbol, përveç shallit, mbante pistoletën dhe një degëz të ullirit. Arafati kishte një maksimë të bukur që përdorte shpesh me burrështetasit dhe personalitetet botërore: “Mos më lejoni që degëzat e ullirit të vyshken, ndërsa pistoleta të zbrazet”.

close

volume_off

Karriera e liderit palestinez filloi si ushtarak në luftën te kanali i Suezit. Arafati ishte admirues i presidentit egjiptian, Gamal Abdel Naser. Arafati, nga Jugosllavia e Titos, ishte njëri ndër liderët më të admiruar që ishin në Lindjen e Mesme. Tito ndërpreu të gjitha marrëdhëniet me Izraelin. Jasar Arafat, në vizitat që bënte në Beograd, ndihej si në sallonet e Kajros, Damaskut dhe Bejrutit. Sipas një gazetari serb, Sllobodan Samarxhiq, Serbia edhe pas shpërbërjes së federatës jugosllave, me propagandë, shfrytëzonte reputacionin e trashëgimtarit të Jugosllavisë së Titos. Këtë narrativë, Beogradi e ka shfrytëzuar për regjimet e botës arabe dhe islame, sikundër që është rasti me mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga shumë shtete arabe dhe islame.

Gazetari dhe publicisti i politikës ndërkombëtare për Lindjen e Mesme, Boshko Jakshiq, shkruan për takimet gjatë intervistave me liderin palestinez, Jaser Arafat. ArafatI formoi organizatën për çlirimin e Palestinës. Ai ishte “persona non-grata” dhe “mollë sherri” për regjimet arabe. Në fillim të viteve të 70-ta, Arafat u vendos në Jordani. Mbreti Hysein u detyrua ta dëbojë shkaku i konfliktit mes dy shteteve, Jordanisë dhe Izraelit. Më vonë, organizata çlirimtare palestineze u transferua në Liban. Më 1981, hynë trupat ushtarake të Izraelit dhe pushtuan Bejrutin perëndimor. Në fund, Arafat u detyrua të largohet dhe të strehohet në Tunizi, prej nga vazhdoi rezistencën. Gjatë gjithë karrierës së tij ka shpëtuar kokën prej mbi 40 atentateve.

Jaser Arafati si pacifist i pa shembullt

Më vonë, Jaser Arafat, nga një militant ekstremist e gueril u shndërrua në një lider modernist dhe pacifist. Pas e njohu shtetin hebre, ku, sipas planit të Oslos, filloi të formohet estabilishmenti i shtetit palestinez. Arafat, pas marrjes së Çmimit Nobel, më 1996 kthehet së pari në tokën palestineze si hero dhe mesia, ndaj dhe po atë vit fiton zgjedhjet dhe bëhet president i shtetit posa të formuar palestinez.

Izraeli nuk e zbatoi marrëveshjen e Oslos, për çka filluan përplasjet dhe fraksionet, ku grupet ekstremiste dhe radikale filluan me aksionet kamikaz, atentate nëpër restorante të Tel-Avivit dhe qyteteve të tjera të shtetit hebre.

Boshko Jakshiq shkruan se afrimi dhe firmosja e paradigmës mes dy shteteve dhe dy liderëve, Arafat dhe Ehud Barak, sipas planit, do t’i mundësonte shtetit palestinez marrjen e mbi 95 për qind të territoreve, si Gazën, Bregun perëndimor dhe Jerusalemin lindor, si kryeqytet i Palestinës. Jasar Arafat nuk e pranoi këtë plan, shkaku i përçarjes dhe fraksioneve të ndryshme, ndaj dhe humbi ky shans historik dhe si rezultat filloi dalja në skenë e Hamasit.

Jasar Arafat shkoi për të kryer pelegrinazhin (haxhin) në Meke. Në ritualet dhe ceremonitë në Mina, Arafat kishte gjuajtur 6 guralecë. Kur e pyetën se pse mungon guraleci 7, ai ishte përgjigjur më një metaforë, se “nuk qenka aq i mjerë sa të hyjë në konflikt me djallin”. Jasar Arafat, i sëmurë, nga Kajro dërgohet në Paris, ku më 11 nëntor 2004 ndërron jetë. Ai kishte lënë amanet që ta varrosin në Jerusalem, afër xhamisë Al-Aksa, ku ky qytet i shenjtë dhe Xhamia Al-Aksa ishin tempujt dhe idhujt e tij në jetë. Administrata e Tel-Avivit nuk lejoi që të varroset në Jerusalem, duke pasur parasysh se varri i këtij lideri arab, asisoj, mund të shndërrohet në një mit. Arafat u varros në Ramalla, afër rezidencës së organizatës palestineze. Si duket, këtyre dy popujve: semitëve, palestinezëve dhe hebraikëve, u mungon një Feniks, një lider pragmatik, vizionar dhe pacifist, që do të ngrihej nga hiri, sikundër që ishin Jasar Arafat dhe Isak Rabin.