OBSH: Vazhdojnë negociatat për evakuimin e foshnjave nga spitali Al-Shifa

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se po bashkëpunojnë me zyrtarët egjiptianë për të lehtësuar evakuimin e foshnjave që kanë mbetur në spitalin Al-Shifa të rrethuar nga Izraeli dhe se vazhdojnë negociatat me Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të ABC News, dr. Richard Brennan nga OBSH-ja ka vënë theksin mbi mungesën e karburantit dhe se situata e sigurisë vështirëson evakuimin. Ai tha se OBSH-ja prej ditësh nuk ka mundur të krijojë komunikim me spitalet në veri të Gazës. “Kjo është një situatë krejtësisht e pashpresë”, tha Brennan.

Ai theksoi se organizata së bashku me zyrtarët egjiptianë, ka negociuar me Forcat e Mbrojtjes izraelite përmes OKB-së për ofrimin e “kalimit të sigurt dhe garantimin e sigurisë” për evakuimet dhe se mungesa e karburantit përbën problem për evakuimet.

Duke vënë theksin se po përpiqen të krijojnë një kolonë që do të lëvizë në spitalin Al-Shifa për evakuimin e të porsalindurve, foshnjave prematurë (të lindur para kohe) dhe pacientëve të kujdesit intensiv, Brennan tha se për këtë nevojitet më shumë planifikim.

“Shumica e ambulancave të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze aktualisht nuk funksionojnë. Për këtë arsye mendojmë të marrin ambulanca nga Egjipti dhe t‘i dërgojmë në spitalin Al-Shifa”, shtoi Brennan.

Ai bëri të ditur se brenda 24 orëve shpreson të ketë më shumë detaje lidhur me situatën në fjalë.

Sipas të dhënave të siguruara nga OBSH-ja, në spitalin Al-Shifa ndodhen rreth 600 pacientë, përfshirë 36 foshnje të porsalindur dhe 27 pacientë në kujdesin intensiv, një personel punonjësish prej 280 personash dhe 2.500 të zhvendosur.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo