Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se njerëzit në Gaza, e cila ka qenë nën bombardime intensive nga Izraeli tashmë një muaj, kanë nevojë për qasje të sigurt në ujë, karburant dhe ushqim, si dhe shërbime shëndetësore, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier, duke folur për konfliktin izraelito-palestinez në konferencën javore për shtyp të Zyrës së OKB-së në Gjenevë, përsëriti thirrjen e OBSH-së për një pauzë urgjente humanitare të konfliktit për të lehtësuar vuajtjet.
“Mijëra njerëz po vdesin në Gaza, ndërsa ata që mbijetojnë vuajnë nga trauma, sëmundje, mungesë ushqimi dhe uji. Banorët e Gazës kanë nevojë për qasje të sigurt në ujë, karburant dhe ushqim, si dhe kujdes shëndetësor, për të mbijetuar”, tha Lindmeier.
Duke theksuar se gjithsej 160 punonjës të kujdesit shëndetësor kanë humbur jetën në Gaza, Lindmeier tha se 16 prej tyre u vranë në krye të detyrës.
Lindmeier tha se ka pasur 102 sulme në qendrat shëndetësore në Gaza dhe 121 në Bregun Perëndimor të pushtuar.