Një ndjekje si nëpër filmat “Shpejtësi dhe çmënduri” ka ndodhur nga autoritetet franceze gjatë ditës së shtunë ku disa hajdutë vodhën dy kamionë me shampanjë.
Ngjarja ndodhi në afërsi të Reims, në rajonën e ashtuquajtur si zemra e prodhimit të shampanjës ku u raportuan kamionët e grabitur.
Oficerët ishin në gjendje të lokalizonin automjetet, të cilat ishin të pajisura me pajisje gjurmuese dhe bënë ndjekje në autostradën A4 midis Reims dhe Parisit.
Edhe pse më në fund shampanja u gjet, por hajdutët arritën të shpëtonin.
Kamionët u vodhën nga një kompani me bazë në Reims mes të premtes në mbrëmje dhe mëngjesit të së shtunës, thonë mediat franceze.
Sipas gazetës Le Parisien, dërgesat përbëheshin nga shishe Moët & Chandon, një nga markat më të njohura të shampanjës ndërsa çdo ngarkesë vlerësohej në 300,000 €.
Në ndjekje janë përfshirë dy makina policie teksa hajdutët u përpoqën t’i shmangnin duke u devijuar befas.
Kur oficerët detyruan një nga kamionët të ngadalësonte shpejtësinë, shoferi u hodh dhe u largua me një makinë tjetër.
Kamioni i dytë doli në daljen tjetër dhe më pas u gjet pa shoferin.
Një hetim është duke u zhvilluar ndërsa shishet e shampanjës u gjetën të gjitha të paprekura dhe të padëmtuara.