Netanyahu: Izraeli, i hapur për pauza të shkurtra taktike në Gazë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se Izraeli do të konsideronte “pauza të shkurtra taktike” në luftimet në Gaza për të lehtësuar hyrjen e ndihmave ose daljen e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, por përsëri hodhi poshtë thirrjet për një armëpushim të plotë pavarësisht presionit ndërkombëtar.

Netanyahu tha se një armëpushim i përgjithshëm do të pengonte përpjekjet luftarake të vendit të tij, por ndalimi i luftimeve për arsye humanitare, një ide e mbështetur nga aleati kryesor i Izraelit, Shtetet e Bashkuara, do të vazhdojë të konsiderohet bazuar në rrethanat, raportojnë mediat e huaja.

“Për sa i përket pauzave të shkurtra taktike – një orë këtu, një orë atje – ne i kemi pasur ato më parë. Unë supozoj se do të shikojmë rrethanat për të mundësuar hyrjen e mallrave, mallrave humanitare, ose largimin e pengjeve tona, pengjeve individuale”, tha Netanyahu për rrjetin televiziv amerikan ABC News të hënën.

“Por unë nuk mendoj se do të ketë një armëpushim të përgjithshëm.”, shtoi ai Presidenti i SHBA Joe Biden diskutoi pauza të tilla dhe lirime të mundshme pengjesh në një telefonatë me Netanyahu të hënën, duke përsëritur mbështetjen e tij për Izraelin duke theksuar se ai duhet të mbrojë civilët, tha Shtëpia e Bardhë.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që shkaktoi 1400 viktima, Izraeli filloi një ofensivë ajrore dhe tokësore kundër Hamasit, që SHBA e konsiderojnë një organizatë terroriste. Hamasi mori peng rreth 240 personave. Bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 10,000 në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës./abcnews.al