Muhamet Ameti ka një lutje për kryetarin e Tropojës

Të nderuar,
Më poshtë e publikoj shkresën të cilen sot në mënyre elektronike ( në e-mail drejtuar: [email protected] dhe për informatë: [email protected]) e dorëzova deri tek Kryetari i Bashkisë së Tropojës:
” Bashkisë se Tropojës
– Kryetarit Rexhë Byberi
Republika e Shqipërisë
Shumë i nderuari Kryetar i Bashkisë së Tropojës, Zotër Rexhë Byberi!
Me anë të kësaj letre, duam të shprehim një propozim të rëndësishëm, bile do ta quanim edhe lutje, në emër të komunitetit tonë dhe të gjithë atyre që vlerësojnë Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës: Bashkia e Tropojës t’i shpallë postmortum si Qytetarë Nderi katër Heronjtë e Kombit: Luan Haradinaj, Adrian Krasniqi, Ilir Konushevci dhe Qerim Kelmendi, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në luftën për Lirinë e Kosovës, i manifestuar sidomos në hapësirat gjeografike të Tropojës, e afirmuar në Histori për luftërat çlirimtare si Malsi e Gjakovës.
Siç dihet, Malësia e Tropojës dhe Qyteti BajramCurri kanë qenë baza mbështetëse kyçe gjatë periudhës së Luftës çlirimtare në Kosovë. Qysh në fillim të janarit 1992 Vëllezërit Ilir dhe Adrian Krasniqi dhe Qerim Kelmendi ngriten baza logjistike në BajramCurr e Tropojë, të cilat qenë bërë bazë kryesore logjistike në Shqipëri gjatë gjithë kohës të angazhimit gueril e luftarake të UÇK-së. Në Tropojë u koordinua futja ilegale e armëve, municionit dhe luftëtarëve, nga Shqipëria në Kosovë. Pas vrasjeve të Zahir Pajazitit dhe Adrian Krasniqit, Ilir Konushevci u angazhua në Sektor të logjistikës se UÇK-së në Tropojë. Në ndërkohë ai avancua në komandant i Logjistikës se UÇK-së në Shqipëri. Ilir Konushevci, i shoqëruar nga Mjeku tropojan Hazir Mala, u martirizuan më 9 maj 1998, gjatë rrugëtimit në Qafë Mali, në vendin e quajtur Miliskajë. Ata ishin duke bërë transportin e një maune me armë e municion drejt bazave të UÇK-së në Tropojë, prej ku do të koordinin futjen ilegale në Kosovë…
Në Tropojë, fal koordinimit të këtyre katër Heronjve, mijëra luftëtarë të UÇK-së, gjeten strehim e mirëpritje bujare te malësorët e Tropojës, deri sa u futën ilegalisht për t’u bërë pjesë e Luftës çlirimtare të UÇK-së në Kosovë. Pra, Tropoja qe bërë arterie vitale për mbështetjen e Luftës çlirimtare të UÇK-së.
Shpallja e këtyre Heronjve Qytetarë Nderi nga Bashkia e Tropojës do të ishte simbolikë fisnike, shumë e rëndësishme për të nderuar kujtimin dhe veprën e tyre. Kjo gjithashtu do të shërbente si një mesazh i fortë për brezat e ardhshëm mbi rëndësinë e atdhetarizmit, guximit dhe përkushtimit ndaj lirisë dhe drejtësisë.
Me shpresë që ky propozim do të mirëpritet dhe do të trajtohet me kujdesin që meriton, presim gjithë shpresë përgjigjen Tuaj miratuese.
Me respekt dhe përshëndetje vëllazërore,
Muhamet Ameti
Tetovë, më 28 nëntor 2023 ”
Në kontekst të lartpërmendurës, shfrytëzoj rastin të i lus dhe inkurajoj të gjithë Kryetarët e komunave tjera që janë të udhëhequr nga shqipëtare, të marrin iniciativa të ngjajshme dhe nderojnë në mënyrë meritore Heronjtë e Kombit!