Morgan Freeman zbulon arsyen makabre pse mban vathë floriri: Nëse vdes…

Shumica e njerëzve veshin vathë dhe bizhuteri të tjera për të shtuar një element plotësues në pamjen e tyre. Megjithatë, e njëjta arsye nuk aplikohet për Morgan Freeman .

Aktori i njohur rrallëherë shihet pa vathët e tij të artë me firmë. Megjithatë, kjo zgjedhje e tij nuk ka të bëjë me rregullat e modës. Në vend të kësaj, ka një arsye disi… makabre pas saj, shkruajnë mediet e huaja.

Freeman është pyetur vazhdimisht se pse ai insiston të mbajë vathët e veçantë, një stil që ai e përvetësoi shumë kohë përpara se të merrte famë në Hollywood. Siç ka treguar në një intervistë, ai dëshiron të jetë i përgatitur për çdo situatë të paparashikuar dhe kështu, kujdeset të mbajë çdo ditë me vete asetet. Këta nuk janë askush tjetër veçse vathët e tij prej ari.

Aktori, i njohur për rolin e tij ikonik në “The Shawshank Redemption”, zbuloi arsyetimin pas zgjedhjes së tij të rrathëve të artë në një postim të mëparshëm në rrjetin social “Instagram”.

“Këta vathë. Më pyesin për këto gjatë gjithë kohës. E vërteta është se këto vlejnë sa duhet që dikush të më blejë një arkivol, në rast se unë vdes në një vend të huaj. Prandaj i mbanin marinarët dhe prandaj i vesh unë. Tani ju e dini”, tha ai.