Messi: Ky është Topi i Artë i fundit për mua, tash kam hyrë në një fazë të re të jetës

Lionel Messi e fitoi mbrëmë Topin e Artë për herë të tetë në karrierë.

Yllit argjentinas iu shpërblye mbi të gjitha suksesi i arritur në Botërorin e Katarit, ku me Argjentinën e fitoi Kupën e Botës.

E 36 vjeçari bëhet realist dhe e pranon se ky mund të ketë qenë trofeu i tij i fundit i Topit të Artë pasi tash ka prioritete të tjera në jetë dhe nuk po mendon më për trofe individualë.
“Topi i Artë i fundit? Ka kaluar një kohë që nuk po mendoj më për Topin e Artë. Edhe më parë e kam thënë se për mua nuk ka qenë asnjëherë një prioritet për ta fituar, e aq më pak pas gjithë asaj që e kam arritur në krejt karrierën dhe që kam kaluar në një pikë tjetër në jetën time. Mendoj se ky do të jetë Topi i Artë i fundit për mua. Jam i lumtur që i kam fituar krejt këta trofe dhe që jam lojtari që ka fituar më së shumti Topa të Artë”, u shpreh legjenda argjentinase.

“Pasardhësit? Janë disa lojtarë të ndryshëm, mund të jetë një luftë e bukur në vitet e ardhshme. Haaland, Mbappe, Vinicius… Shumë lojtarë të rinj interesantë. Edhe Lamine Yamal, i cili është mjaft i ri dhe që tashmë luan në Barcelonë”, përfundoi Messi.