Lihet në burg 44-vjeçari në Durrës për tentim dhunimi të vajzës së tij 14-vjeçe

Gjykata e Durrësit ka lënë në qeli 44-vjeçarin që akuzohet për tentativë përdhunimi ndaj së bijës së tij 14-vjeçare.

Gëzim Ceku u arrestua nga policia për “dhunë në familje” dhe “marrëdhënie seksuale me të mitur mbetur në tentativë”.

Sipas “Klan News”, ngjarja ndodhi të shtunën e kaluar në lagjen 15 në Durrës, ku familja ishte vendosur prej pak kohësh dhe jetonte me qira.

I arrestuari u denoncua nga bashkëshortja për dhunë verbale, emocionale dhe për tentativë marrëdhëniesh seksuale me të bijën adoleshente, pasi e kishte nxjerrë atë nga banesa.

Pas arrestimit, 44-vjeçari ka mohuar akuzën për akte të turpshme ndaj së bijës dhe ka deklaruar se një akuzë e tillë është një kurth ndaj tij për ta larguar nga shtëpia.

Ndaj të akuzuarit nuk ka pasur më parë denoncime për dhunë në familje. /Klankosova.tv