Ky është udhëtari i 3-miliontë në Aeroportin “Adem Jashari”, fiton pushim në Turqi

Ardit Alaj nga Deçani është bërë udhëtari i 3 milionët që ka udhëtuar përmes Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”.

Si rrjedhojë, Alaj i cili po udhëtonte nga Stuttgarti i Gjermanisë ka fituar udhëtim falas në Turqi, bashkë me të dashurën e tij. Udhëtimi është planifikuar të zgjas një javë.

Kjo ngjarje është organizuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës për të shënuar udhëtarin e 3-miliontë, për herë të parë brenda vitit në Aeroportin “Adem Jashari”.

Zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, Valentina Gara tha se Aeroporti sot ka arritur një moment historik të jashtëzakonshëm.

“Para së gjithash, më lejoni që në emër të kompanisë të shpreh falënderimet tona për secilin prej jush, mysafirët tanë të nderuar, udhëtarë e nderuar, stafi i përkushtuar, partnerët e përkushtuar të linjave ajrore dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë arritje të jashtëzakonshme. Së bashku, ne kemi bërë histori”, tha ajo.