Mungesa e karburanteve, elektricitetit dhe medikamenteve ka bërë që spitali më i madh i Rripit të Gazës të mbetet jofunksional. Për pasojë, 7 fëmijë të sapolindur dhe 27 pacientë në terapi intensive kanë vdekur në 3 ditët e fundit në spitalin “Al Shifa”.
Autoritetet palestineze paralajmërojnë se stoqet me karburante janë ezauruar dhe situata ambientale po përkeqësohet për shkak të akumulimit të mbeturinave dhe përhapjes së sëmundjeve.
“I tërë stoku me Dizel nëpër komuna ka mbaruar dhe nëse puset pushojnë dhe furnizimet me karburante nuk vijnë urgjentisht, atëherë ekziston rreziku që tërë popullsia e Gazës, 2.3 milionë, të vdesë nga etja”, thotë Dr. Ahmad al Soufi, kryetar i komunës së Rafahut.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit bënë një tjetër thirrje për banorët në veri të Gazës që të largohen në jug, duke deklaruar se do të lejojë kalimin e tyre për 7 orë.
Sidoqoftë, bombardimet vazhdojnë dhe të shtënat po e bëjnë evakuimin të pamundur. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ka raportuar se një plan për të arritur spitalin “Al Kuds” nga qyteti Khan Junis për të evakuuar pacientët u pezullua.
Ndërkohë, stafi në selinë e OKB-së në Gjenevë mbajti një minutë heshtje në nder të mbi 100 kolegëve të vrarë në Gaza gjatë luftës. Drejtoresha Tatiana Valovaja falënderoi stafin për sakrificën, duke vënë në dukje rëndësinë e punës së tij në një periudhë të rrezikshme për të gjithë botën.