Katari: Reagimet e komunitetit ndërkombëtar për bombardimet izraelite ndaj civilëve në Gaza janë të turpshme
Kryeministri dhe njëherësh ministër i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani i quajti “të turpshme” reagimet e komunitetit ndërkombëtar ndaj bombardimeve të Izraelit ndaj civilëve në Gaza, transmeton Anadolu.
“Reagimet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj bombardimeve izraelite ndaj civilëve në Gaza nuk janë në nivelin e kërkuar dhe ndonjëherë mund të jenë të turpshme”, tha Al Thani në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij franceze, Catherine Colonna në Doha.
Ai theksoi domosdoshmërinë e koordinimit me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për të arritur “armëpushim humanitar të menjëhershëm, të përhershëm dhe të qëndrueshëm që çon në ndërprerjen e armiqësive”.
Kryediplomati i Katarit tha se kishte diskutuar me ministren franceze lidhur me përpjekjet ndërmjetësuese për lirimin e pengjeve izraelite të mbajtur nga Hamasi dhe domosdoshmërinë e ofrimit të ndihmës së vazhdueshme për civilët në Gaza.
Ministrja franceze Colonna tha se ishte “e nevojshme të respektohet ligji ndërkombëtar humanitar, të mbrohen civilët dhe të mbështetet mbërritja e ndihmave në Gaza”.
Ajo dënoi dhunën e kryer nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor.
“Franca do të bëjë gjithçka për të shmangur përhapjen e luftës dhe për të arritur zgjidhje diplomatike dhe paqësore”, tha diplomatja franceze.