Jeta e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi e përmbledhur në një monografi

Në Tetovë u promovua libri “Prekazi – historia e mërgimit në Ballkan” i autorit Ibrahim Selamet në organizim të Shoqatës së Shkrimtarëve “OENEUM” dhe Organizatës Humanitare “El Hilal” në kuadër të festave të nëntorit. Autori është një veprimtar shqiptar me prejardhje nga Prekazi i Kosovës, i cili jeton dhe vepron në qytetin Sakarja të Turqisë. Këtë ngjarje e udhëhoqi shkrimtarja Sadije Aliti, e cila lexoi edhe pjesë nga libri monografik që zgjoi kërshërinë e pjesëmarrësve për sa i përket përshkrimit autentik të ngjarjeve rreth shpërnguljeve të shqiptarëve në Turqi, te detyruar t’i braktisin vatrat për shkak të presionit dhe dhunës së paparë. Fjalime të rastit mbajtën kryetarët e “Oeneum”- it dhe “El Hilal-it, të cilët e përgëzuan autorin e librit, bashkatdhetarin tonë, Ibrahim Selamet, për guximin dhe entuziazmin për ta shkruar këtë libër autobiografik me shënime shumë të rëndësishme nga jeta në vendlindje dhe procesi i migrimit. Kritiku letrar, Rami Kamberi, foli për vlerën letraro-artistike të librit duke e krahasuar hapin e autorit si të guximshëm dhe duke e ilustruar me thënjet e At Gjergj Fishtës dhe viganëve të tjerë të kombit për çështjen e atdhedashurisë. Autori, Ibrahim Selamet, duke i falënderuar dashamirët e librit për pjesëmarrjen e tyre në këtë event tha se edhe pse lindi në Turqi, nuk e harroi gjuhën dhe përkatësinë e tij etnike si shqiptar. Gjithashtu theksoi se urat e lidhjes ndërmjet shqiptarëve këtu dhe atje, si dhe shqiptarëve dhe popullit turk do të përforcohen në interes të stabilitetit në rajon dhe forcimit të bashkëpunimit në shumë sfera. Të pranishëm ishin kryetarët e shoqatave dhe personalitete nga Tetova, të cilët morën nga një libër të nënshkruar nga autori.
Jeta e shqiptarëve të shpërngulur në Turqi e përmbledhur në një monografi