Ushtria izraelite njoftoi se ka arrestuar 870 anëtarë të Hamasit në Bregun Perëndimor të okupuar që nga 7 tetori, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se 28 palestinezë u arrestuan në Bregun Perëndimor të okupuar në orët e fundit, duke përfshirë 11 anëtarë të Hamasit.
Sipas deklaratës, gjithsej 1.350 palestinezë u arrestuan në territorin e pushtuar që nga 7 tetori, duke përfshirë 870 anëtarë të Hamasit.
Tensionet janë përshkallëzuar në të gjithë Bregun Perëndimor të okupuar që nga 7 tetori, kur filluan luftimet në Rripin e Gazës.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, të paktën 163 palestinezë janë vrarë dhe 2.250 të tjerë janë plagosur nga të shtënat e ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar që nga shpërthimi i konfliktit të Gazës.
Shoqata Palestineze e të Burgosurve vlerëson se të paktën 2.215 palestinezë janë arrestuar në Bregun Perëndimor gjatë muajit të kaluar.
Para konfliktit të Gazës, sipas shifrave palestineze, numri i të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite vlerësohej në rreth 5.200.