Inteligjenca turke neutralizon një terrorist të rangut të lartë të PKK-së në Siri

Inteligjenca turke “neutralizoi” një terrorist të rangut të lartë të YPG/PKK-së në veri të Sirisë, njoftuan sot burime të sigurisë, raporton Anadolu.

Ali Subaşı, me emrin e koduar Idris Serhat, ishte i ashtuquajturi menaxher i fushës ideologjike të grupit terrorist në Sirinë veriore, thanë burimet në kushte anonimiteti.

Subaşı, i cili ishte në listën e personave të kërkuar të Türkiyes, ishte një nga anëtarët më të hershëm të organizatës terroriste dhe ishte aktiv në Türkiye, Iran dhe Irak.

Ai veproi si anëtar i lartë në rajon gjatë operacionit antiterror të Türkiyes në Sirinë veriore, “Dega e Ullirit” .

Autoritetet turke përdorin termin “neutralizim” për të nënkuptuar se terroristët në fjalë janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.

Që nga viti 2016, Ankaraja ndërmori tre operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar kthimin e sigurt të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja – e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40 mijë njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega e saj siriane.