Arijon Ibrahimovic e ka nisur mjaft mirë eksperiencën italiane.
Futbollisti kosovar i ka shënuar dy gola në fanellën e Frosinones, një në kupë dhe një në kampionat, ndërsa në klubin nga Serie A u huazua nga Bayern Munichu.
Ndërkohë, futbollisti i lindur dhe rritur në Gjermani e ka zbuluar një dëshirë të tij: dëshiron ta takojë futbollistin që e mban mbiemrin e njëjtë me të, Zlatan Ibrahimovicin.
Gjithashtu, talenti 18 vjeçar ka folur për eksperiencën në Itali dhe për modelet që i ka në futboll.
“Zlatan Ibrahimovic është njëri prej modeleve të mi, ndoshta edhe për shkak të mbiemrit të njëjtë. Gjithashtu, model dhe shembull për ta ndjekur e kam edhe Ronaldon”, deklaroi fillimisht futbollisti kosovar në një intervistë të dhënë mediumit “Corriere dello Sport”.
“Nuk e kam takuar kurrë Zlatanin. Do më pëlqente ta takoja dhe t’ia zgjasja dorën. Ndoshta ndodh kundër Milanit. Gjithnjë nëse trajneri vendos të më marrë dhe të ma japë rastin”, vazhdoi ai.
“Unë isha duke e kërkuar një skuadër ku do të mund të luaja, e kuptova nga bisedimet e para me drejtorin Angelozzi dhe trajnerin Di Francesco që ky do të ishte vendi im i duhur”, përfundoi Ibrahimovic, i cili ka luajtur për ekipet zinxhirore të Kombëtares së Gjermanisë. Ndërkohë, ai mund të luajë edhe për Kosovën ose për Shqipërinë, nëse Gjermania nuk llogarit në shërbimet e tij.