10:45 – Hovenier: Habitem me ata që s’e kanë parë dhe po e komentojnë draft-statutin e Asociacionit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se është i habitur me numrin e njerëzve që po e komentojnë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe që ende nuk e kanë parë atë.
Në një konferencë për media, ai ka theksuar se ky draft-statut nuk ngërthen në vete një autonomi apo kompetenca ekzekutive, raporton Klan Kosova.
“Së pari jam abuzuar nga numri i njerëzve që po e interpretojnë draft-statutin që nuk e kanë parë. Ky është një trik shumë mbresëlënës. Në fund të ditës ata që nuk e kanë parë, nuk kanë shumë bazë për të folur rreth tij”, ka thënë Hovenier.
“ShBA-ja beson fuqishëm që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë ndonjë autoritet ekzekutiv. Unë nuk e shoh se si keni një autonomi në këto rrethana. Ne besojmë se ky draft-statut është në përputhje me këto kritere që unë i përmenda”, ka shtuar ambasadori amerikan.
Në fund ai sërish ka theksuar se është Gjykata Kushtetuese ajo që në fund mund ta bëjë vlerësimin e plotë të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe para se ai të hyjë në fuqi.
10:43 – Hovenier: Kurti i gatshëm ta pranojë në tërësi draft-statutin e Asociacionit
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur për mediat në lidhje me draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është propozuar javë më parë nga diplomatë perëndimorë.
Këtë draft e ka pranuar në tërësi edhe kryeministri Albin Kurti, sipas ambasadorit Hovenier, ndonëse kreu i ekzekutivit ka thënë se i njëjti ka nevojë për komente shtesë.
Hovenier tha se s’ka asgjë sekrete me çështjen e draftit, por se duhen negociata deri në arritjen e versionit final të tij.
“S’ka asgjë sekrete, por negociatat diplomatike dhe angazhimet sensitive mes komunitetit ndërkombëtar me qeveritë shpesh bëhen në kushte diskrecioni. Sepse këto kushte janë të përshtatshme për të arritur në të vërtetë kuptueshmëri dhe avancime të gjërave, qofshin ato marrëveshje dialogu, marrëveshje të Rambujesë… Ka raste kur publiku njoftohet, por ka raste që shkëmbimet diplomatike konfidenciale nuk publikohen derisa të arrihet pajtueshmëria. Nuk mendoj se duhet kërkuar falje pse kemi biseda konfidenciale apo diskrete me qeverinë e Kosovë për një çështje shumë të ndjeshme. Dhe në një kohë të përshtatshme, jam i sigurt se publiku do ta ketë mundësinë ta vlerësojë draft-statutin. Ajo kohë do të përcaktohet në kombinim me qeverinë dhe Lajçakun”, deklaroi ambasadori amerikan, raporton Klankosova.tv.
Duke folur afatin se kur duhet të finalizohet statuti i Asociacionit, Hovenier tha se kjo është çështje “urgjente”.
“Për sa i përket afatit… nëse e lexoni deklaratën e Scholzit, Macronit e Melonit, dhe nëse mund të them se sa e jashtëzakonshme është që këta tre liderë shumë seriozë po përfshihen direkt në këtë proces për të ndihmuar Kosovën të ecë përpara në proceset evropiane e euroatlanitike dhe për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë për përfitim të të dy vendeve, por në veçanti të Kosovës… ata përdorin terme si “urgjente”, “sa më shpejtë të jetë e mundur”, dhe ka një urgjencë dhe dëshirë të shohim që kjo të ecë përpara dhe kjo është pjesë e bisedave tona me qeverinë”.
Tutje, ai tha se qeveria s’ka arsye që të mos avancojë me themelimin e Asociacionit, pasi, siç u shpreh ai, Kurti para dy jave ka shprehur gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi këtë propozim.
“S’ka arsye që qeveria të mos avancojë me draft-statutin. Kryeministri pranoi gatishmërinë e tij për të pranuar në tërësi atë vetëm dy javë më parë. Ne po ashtu po punojmë që të shohim se ajo bëhet si element i strategjisë sonë më të gjerë. S’ka të bëjë vetëm me asociacionin, s’mund të jetë. Ka të bëjë me arritjen e zbatimit e plotë të të gjitha obligimeve të arritura nga Kosova dhe Serbia, si marrëveshjen bazë, ashtu edhe atë të Ohrit. Këtë duam ta shohim”, potencoi kryediplomati amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier. /Klankosova.tv
10:27 – Hovenier: Draft-statuti i Asociacionit s’ka fuqi ekzekutive, të shqyrtohet nga Kushtetuesja
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka mbajtur sot një konferencë për media, me ç’rast ka folur rreth draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sipas tij, draft-statuti i Asociacionit nuk ka autoritet ekzekutiv dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, raporton Klan Kosova.
10:15 – Hovenier në konferencë për media për draft-statutin e Asociacionit
Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në orën 10:20 do të mbajë një konferencë për media ku flasë për propozimin e ri të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kjo u bë e ditur nga Ambasada e ShBA-së.