Haxhiu për rastin Dehari: Provat ekzistojnë, të zbardhet ky krim i errësuar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në përvjetorin e shtatë të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ka thënë se provat për këtë rast ekzistojnë, sipas saj, nevojitet vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur këtë vdekje.

Duke e quajtur krim ende të errësuar, Haxhiu ka thënë se hetime të ndryshme janë zhvilluar e gjithashtu edhe përpjekje për ta fshehur atë.

“Hetime të ndryshme janë zhvilluar, sikurse edhe përpjekjet për ta fshehur këtë krim. Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast. Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar”, ka shkruar ajo në Facebook.

Haxhiu ka shtuar se vdekja e Deharit përfshinë disa veprime për të cilat askush nuk ka dhënë ende përgjegjësi.

“I paraburgosur, pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, për 68 ditë në burg, Astrit Dehari nuk u mor asnjëherë në pyetje. Në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor, Astrit Dehari u vra në rrethana të sqaruara nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, por të pasqaruara nga autoritetet e drejtësisë. Siç dihet, një sërë anomalish institucionale vërehen menjëherë pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit, që nga vonesa e ndihmës mjekësore, te nxitimi i deklarimeve të Kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, e po ashtu Kryeprokurorit i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha. Njëri konstatonte se Astriti vdiq nga mbi doza e medikamenteve, kurse tjetri e cilësoi si vetëvrasje ende pa nisur asnjë hetim”, ka shtuar ajo.