Fury – Usyk, zbulohet data e re e meçit historik të boksit

Më në fund është zyrtarizuar data e meçit historik të boksit profesionist mes Tyson Furyt dhe Oleksandr Usyk.

Dy boksierët më të mirë të momentit dhe njëherësh kampionë të botës, do të përballen mes vete më 17 shkurt të vitit të ardhshëm, shkruan “Gazeta Express”.

Paraprakisht, ishte përmendur data 23 dhjetor për një sfidë mes dy boksierëve që i mbajnë krejt brezat e boksit profesionist në peshat e rënda.

Por, mediumi “ESPN” raporton se data finale mund të jetë 17 shkurti, ndërsa meçi, ashtu siç ishte planifikuar, do të mbahet në Arabinë Saudite.

Aktualisht, boksieri ukrainas i mban katër breza të versioneve WBA, IBO, WBO e IBF, të cilat ia kishte “rrëmbyer” Anthony Joshuas, ndërsa i mungon veç titulli WBC, të cilin e mban Fury, e të cilin synon t’ia marrë në shkurtin që vjen.