Ankohen se nuk ka punëtorë, ndërsa 17 mijë të punësuar janë në pritje të pagës së shtatorit

Më të prekur nga vonesa e pagave janë 378 punëtorë që ende presin shpërblimin për atë që e punuan në një kompani të Shkupit për pastrimin e ndërtesave dhe objekteve, 148 në sferën e sigurimit privat, 84 në një institucion të arsimit të lartë dhe 79 në një ndërmarrje publike në Vinicë, shkruan PRESSonline.al

17.000 punëtorë janë ende në pritje të pagave për muajin shtator, zbuloi drejtoresha e Shërbimit të të hyrave të brendshme Sanja Llukarevska. Ajo sqaroi se bëhet fjalë për 9 mijë e 183 punëdhënës, që do të thotë se janë kryesisht mikro-firma, në të cilat ka pasur një apo disa punëtorë, por ka pasur edhe firma të mëdha. Kështu, më të prekur nga vonesa e pagave janë 378 punëtorë, të cilët ende presin shpërblimin për punën e bërë në një kompani të Shkupit për pastrimin e ndërtesave dhe objekteve, 148 në sferën e sigurimit privat, 84 të punësuar në një institucion të arsimit të lartë dhe 79 në një ndërmarrje publike në Vinicë. DAP nuk lejohet të zbulojë emrat e kompanive, përkatësisht ato konsiderohen si sekret tatimor, por drejtoresha Llukarevska njoftoi se në të ardhmen mund të bëhen ndryshime ligjore që në mënyrë transparente të shpallet saktësisht se cilat kompani nuk i paguajnë punëtorët e tyre.

Në kohën kur publikohen statistika të tilla, punëdhënësit vazhdimisht paralajmërojnë se kanë nevojë për punëtorë. Ata kërkuan edhe rritje të kuotave për sjelljen e punëtorëve nga jashtë dhe Qeveria u përgjigj pozitivisht duke e rritur kuotën nga 5000 në 7000 punëtorë, por punëdhënësit thonë se edhe me këtë staf shtesë së shpejti nuk do t’i plotësojnë nevojat e tyre.

– Jam i sigurt se ky numër do të jetë i vogël për vitin e ardhshëm. Jam informuar se shumë kompani janë në proces të përgatitjes së dokumentacionit dhe bashkëpunimit me agjenci të ndryshme për import të fuqisë punëtore në Maqedoni. Procedura duhet të lehtësohet, duke ndjekur shembullin e Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, sepse ligji ynë është i bërë në kohën kur kemi pasur një numër të madh të të papunëve dhe prandaj ka shumë procedura të mundimshme dhe të vështira – tha për MIA, Angel Dimitrov nga Organizata e punëdhënësve, përcjell PRESSonline.al

Lidhur me këtë deklaratë u shpreh Kristina Ampeva nga “Glasen Tekstilec”, e cila pyeti se ku janë ata 5000 punëtorë, ku punojnë punëtorët nga Nepali dhe Bangladeshi dhe a po bëhet kjo për të dëbuar punëtorë të kualifikuar nga Maqedonia për t’i zëvendësuar me të pakualifikuar dhe me pagesë të ulët.

Sipas të dhënave të DAP, që nga fillimi i vitit 5428 kompani kanë vonuar pagesën e pagave, ndërsa 1912 kompani ato i kanë vonuar më shumë se një muaj. 700 kompanive u janë bllokuar llogaritë pasi nuk paguajnë paga prej kohësh