‘Ai do të kishte mbushur 78 vjeç sot’, Bayern me dedikim për legjendën e futbollit Gerd Müller

Dy vite më parë, pa mbushur 76 vjeç, u nda nga jeta një nga më të mëdhenjtë e futbollit botëror, Gerd Müller. Bomberi gjerman do të mbushte sot 78 vjeç nëse do të ishte gjallë.

Bayern Munchen, klubi ku ai luajti gjatë karrierës së tij dhe ku vendosi rekorde të shumta, e kujtoi në këtë ditëlindje, duke bërë homazhe të ndryshme në respekt të legjendës. Jo më kot në nder të tij pak ditë më parë u dha çmimi “Gerd Müller” për golashënuesin më të mirë, pasi sulmuesi gjerman ishte një “vrastar” para portave kundërshtare.

Müller bëri histori me Bayern dhe ekipin kombëtar të Gjermanisë. Ai shënoi 566 gola të pabesueshëm në 607 paraqitje konkurruese për Bayern dhe ende mban rekordin për më shumë gola të shënuar në Bundesliga me 365, si dhe ishte golashënuesi më i mirë shtatë herë. Ai shënoi 68 gola në 62 paraqitje për kombëtaren.

Der Bomber fillimisht u bashkua me Bayernin në verën e vitit 1964 dhe fitoi Kupën Interkontinentale, tre Kupa Evropiane dhe një Kupë të Fituesve të Kupave Evropiane. Ai ishte një kampion i Bundesligës dhe fitues i Kupës DFB katër herë secila. Në kompeticionet evropiane shënoi 66 gola në 74 përballje

Me ekipin kombëtar ai fitoi Kampionatin Evropian 1972 dhe Kupën e Botës 1974, duke shënuar golin e fitores në finalen në Mynih kundër Holandës. Pas pensionimit, ai mbeti me klubin për një kohë të gjatë si trajner i të rinjve.

Vetëm Leo Messi, në vitin 2012, ishte në gjendje të mposhte rekordin e tij për golat e shënuar në një vit (85). Sulmuesi i atij Bayerni legjendar të viteve ‘70 ka fituar edhe një Top të Artë (1970) dhe dy “Këpuca të Arta” (1970 dhe 1972). Ai u tërhoq nga futbolli në vitin 1981 dhe në gusht të vitit 2021 ndërroi në jetë.