Kolonët hebrenj kanë kryer 390 sulme në Bregun Perëndimor të pushtuar në muajin tetor, njoftoi Këshilli Kundër Murit Ndarës (Muri i Turpit) dhe Vendbanimeve Kolone Hebreje, transmeton Anadolu.
“Sulmet e kryera nga kolonët hebrenj në Bregun Perëndimor në tetor arritën në 390. Në këto sulme humbën jetën nëntë palestinezë, gjashtë prej të cilëve ishin nga qyteza Kusra”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Këshillit.
Në deklaratë thuhet se sulmet e kolonëve hebrenj kanë shkaktuar shpërnguljen e nëntë komuniteteve beduine të përbërë nga 100 familje, dhe se kolonët hebrenj kanë shkatërruar 712 pemë dhe sipërfaqe të mëdha toke.
Deklarata vë në dukje se sulmet në fjalë janë kryer në kuadër të luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza.
Pas sulmeve të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori, Bregu Perëndimor i pushtuar ka qenë gjithashtu skenë e përleshjeve midis ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve.



