Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ministri Bekteshi në takimet në BERZH: Mbështetje për realizimin e projekteve energjetike për transformimin e përshpejtuar të energjisë

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, u takuan sot në Londër me drejtoreshën e përgjithshme të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për infrastrukturë të qëndrueshme, Nandita Parshad.

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i NOMA Gaz, Bajram Rexhepi, fokusi kryesor ishte në aktivitetet dhe projektet që po realizohen në vendin tonë me mbështetjen e BERZH-it, si dhe planet dhe projektet e ardhshme që mund të mbështetet përmes projekteve të ndryshme investuese në Maqedoninë e Veriut në drejtim të zbatimit të “agjendës së gjelbër”

Në takim u përshëndet bashkëpunimi i suksesshëm që vendi ynë ka me BERZH-in, si një bankë që është një nga mbështetësit më të mëdhenj të projekteve infrastrukturore në vend.

Në atë drejtim u shpreh vendosmëria e të dyja palëve që realizimi i projekteve të vazhdojë të bëhet pa ndërprerje, pavarësisht nga krizat e shkaktuara nga lufta në Ukrainë, sidomos kur bëhet fjalë për realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët dhe vend, në fushën e energjisë, transportit, mjedisit jetësor.

Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ministri Bekteshi falënderuan për bashkëpunimin e suksesshëm me BERZH-in, pasi së bashku me drejtorin Rexhepi dhe përfaqësuesit nga BERZH u diskutuan mundësitë për avancim edhe në fushën e mbështetjes dhe ekspertizës së nevojshme teknike.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut po punon në mënyrë aktive në realizimin e projekteve infrastrukturore në drejtim të rritjes së përshpejtuar të ekonomisë vendase dhe përmirësimit të gjendjes financiare të qytetarëve.

Ministri Bekteshi tha se rritja e pavarësisë energjetike të vendit është me rëndësi kyçe për Maqedoninë e Veriut, si dhe tranzicioni i përshpejtuar energjetik, për çka falënderoi mbështetjen e vendit në këtë drejtim, para së gjithash në mbështetje të ndërtimit të interkonektorit të gazit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Greqisë.

Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ministri Bekteshi e njoftuan drejtoreshën Parshad për planet e ardhshme për zhvillimin e infrastrukturës energjetike në vend, veçanërisht për projektet që janë të rëndësishme për lidhjen energjetike rajonale, për të cilat përfitimin më të madh do ta kenë amvisëritë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo