Jada Pinket Smith zbuloi në intervistën eksluzive për People se reperi i famshëm, Tupac Shakur, njëjtë si ajo, vuante nga alopecia, sëmundja auto-imune, e cila shkakton edhe rënien e flokëve.
“Nuk mendoj se Tupac ka folur ndonjëherë për alopecia”, tha aktorja dhe sipas saj, ai vuante nga rënia e pakontrollueshme e flokëve qysh prej vitit 1991, kur u arrestua në Kaliforni. “Pasi (u arrestua) në Kaliforninë e Veriut dhe policët e rrahën, ai nisi të humbte flokë dhe alopecia e tij ishte më ekstreme se e imja”, kujton Smith.
Jada tha se 2Pac, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1996, e mbajti sekret sëmundjen e tij. “Nuk besoj se 2Pac ka folur ndonjëherë për alopecia-n e tij, por dukej shumë mirë me kokën e tij qerose. Por, ishte gjatë kësaj kohe kur ai thjesht nuk fliste për këtë”.
Aktorja, nga ana tjetër, ka folur hapur për diagnozën e saj në vitin 2018 dhe që prej asaj kohe ka ndërgjegjësuar njerëzit për këtë sëmundje.
Jada tha edhe se është e bindur se nëse Shakur do të ishte gjallë sot, do të fliste për alopecia-n publikisht.
Jada, 52 vjeç dhe Shakur u takuan në shkollën e arteve në Maryland, në mes të viteve ’80. Ata ishin miq të afërt, derisa reperi i “Dear Mama” u qëllua për vdekje në shtator të vitit 1996.
Në intervista të mëparshme, Jada ka folur edhe për mënyrën se si është njohur me 2Pac. “Ishte dita e parë, ai erdhi drejt meje dhe u prezantua. Në gjimnaz, Pac kishte paksa një pamje qesharake. Përfundimisht, duke e parë nga pamja e jashtme, nuk ishte fiks tipi me të cilin do merresha. Por, sapo m’u afrua, ishte si magnet. Në momentin që i kushtoje vëmendje, ai të përthithte”, ka thënë ajo.