Sporti i volejbollit është goxha i popullarizuar në mesin e femrave, derisa fatmirësisht kohëve të fundit jo pak vajza shqiptare vendosen të merren me këtë lëmi. Suksese admiruese në skenën elitare të Maqedonisë vite me rradhë regjistron tetovarja Erjona Jonuzi, e vetmja shqiptare në përfaqësuesen e volejbollit të Maqedonisë. Në garat e fundit ndërkombëtare me përfaqësuesen e vendit Jonuzi ka fituar çmimin MVP (lojtarja më e mirë e takimit) në përballjen me Letoninë. Për këtë sukses të saj vajza nga Tetova për herë të parë ka folur në emisionin Pastel në TV21.
“E ëndërroja çdo herë, por të prisja nuk e di!? Mendova që ishim herët ende si kombëtare, më tepër e prisja me ekipin. Normale aty është pak më e lehtë, me ekipin të marrësh një çmim të atillë, por që e ëndërroja gjithmonë”, thotë Erjona Jonuzi, duke sqaruar se megjithatë të realizonte ëndërrën ishte sfidë në vete duke qenë karakteristikat që bart pozita e saj në terren, si organizatore e lojës.
“Jam stërvitur vetëm që të ndodh një herë, të emërohem MVP edhe pse thash është shumë e vështirë sepse unë pozicionin e kam organizatore e lojës. Gjithmonë kur kemi statistikën e lojës unë jam me pikë më pak se të tjerët. Sepse unë gjithë e organizoj, por ai që nuk e kupton volejbollin prej jashtë nuk e vlerson atë gjë, nuk e vlerson organizimin. Por që e ëndërroja dhe mu bë realitet edhe shpresoj që me punë do arrij që përsëri ta fitoj”, është shprehur me kënaqësi volejbollistja Erjona Jonuzi.
Erjona Jonuzi është anëtare e Klubit të Volejbollit të femrave Rabotniçki nga Shkupi me te cilët 4 vite resh është shpallur kampione e vendit.