Vesa Luma: Çmimi më i madh që një artist mund ta marr ndër vite është kur kënga jeton gjatë

Intervistë ekskluzive me yllin e muzikës shqipe Vesa Luma

Intervistoi: Armend Preteni’

Këngëtarja e mirënjohur Vesa Luma me hitet e saj si: “Edhe një Fundvit”, “Edhe për mu do të ketë një zemër”, “Amaneti”, “Jemi dhe s’jemi”, “Luaj”, “Bija e dikujt”, e ka skalitur emrin e saj në artin muzikor shqiptar.

Pas një pauze relativisht të gjatë, këngëtarja po rikthehet fuqishëm në skenë, ku në një intervistë ekskluzive për gazetarin dhe moderatorin Armend Preteni, Vesa Luma ka shpalosur detaje rreth pjesëmarrjes së saj këtë vit në Festivalin e fundvitit në RTSH, me këngën “Mbinatyrale”, poashtu ajo ka folur edhe për jetën në Zelandën e Re, parapërgaditjet për albumin e ri, bashkëpunimet eventuale e për shumë gjëra rreth jetës dhe karrierës të cilat ju ftoj t’i lexoni në vijim…

Pas një pauze relativisht të gjatë, a është gati Vesa Luma për një rikthim të fuqishëm në skenë?

Vesa Luma: Në fakt, kjo periudha e shkëputjes herë në Kosovë e Shqipëri e herë në Zelandë të Re, normalisht ka ndikuar që t’i mendoj shumë më mirë disa gjëra para se të rikthehem në skenë. Më ka bërë pak më të përgjegjshme edhe pse e di që tregu muzikor sot nuk është shumë përcaktues në kuptimin që ka më shumë art, apo është më shumë faculetë njëpërdorimshe. Por kur një artist bën një periudhë shkëputje, e kupton sa shumë i duhet që të punoj më mirë për një rikthim të fuqishëm dhe shpresoj që publiku ta pëlqej.

Keni paralajmëruar edhe publikimin e albumit më të ri, a mund të na zbuloni ndonjë detaj më tepër për këtë risi?

Vesa Luma: Albumi apo EP më e re, do të jetë diçka që nuk do të jetë ndryshe nga ajo Vesa që janë mësuar publiku ta shohin. Meqenëse kam pasur kërkesa nga publiku që të rikthehem ashtu siq kam qenë. Do të rikthehem në bazë me pak a shumë stilin e njejtë me atë Vesën të cilën publiku është mësuar ta shohin por nuk e di a jam në gjendje të bëj shumë ekzibicione në këtë rast apo të provoj diçka të re edhe pse kam shumë dëshirë por them që po filloj sigurt dhe po ua plotësoj dëshirën edhe vetës por edhe publikut që kanë pritur aq gjatë për të cilën unë jam falenderuese.

Në edicionin e 62-të në Festivalin e Këngës në RTSH, do të vini në një duet me bashkëshortin tuaj, rep artistin e njohur Big Basta, çfarë prisni nga ky edicion dhe a mendoni se votimi i publikut edhe këtë vit do ta përmbys vlerësimin e jurisë për këngën përfaqësuese të “Eurovision 2024” i cili do të mbahet në Suedi?

Vesa Luma: Pjesëmarrja jonë sivjet në Festivalin e fundvitit në RTSH, është krejt ndryshe nga ajo që unë e kam menduar ndoshta vite më parë. Është më e qetë, kënga është shumë e mirë dhe po besoj që edhe publikut do t’i pëlqej pasi është frymë moderne, është diçka që dëgjohet dhe shumë pozitive. Më shumë besoj se nuk guxoj të shpalos por që këtë herë e kemi vendosur ta marrim me tepër shumë dëshirë, me shumë kënaqësi dhe pozitivitet andaj shpresoj që t’ia përcjellim dhe publikut që mezi po pret të na shoh. E pastaj është vota e jurisë dhe e publikut që cakton çfarë do të ndodhë më tutje. Ne shpresojmë, të paraqitemi në mënyren më të mundshme dhe do të punojmë për këtë paraqitje me Big Bastën për të tjerat pastaj ua lëmë në duar njerëzve kompetentë.

Kur flasim për Festivalin e Këngës, Rona Nishliu deri tani ka arritur suksesin më të madh duke zënë vendin e pestë me këngën “Sus”, por kjo nuk është hera e parë që Vesa paraqitet në këtë festival. Kujtojmë vitin 2004 kur me këngën “Flakareshë”, Vesa Luma, Teuta Kurti dhe Rona Nishliu ishin pretendente për të fituar. Duke marr për bazë përvojen e juaj, a mendoni se juria jo një por disa herë i ka penalizuar artistët nga Kosova?

Vesa Luma: Sa i përket këngëtarve të Kosovës, nuk është hera e parë vetëm me Ronën, por edhe Linda Halimi, poashtu Albina Kelmendi me familjen dhe ndoshta dikush tjetër që nuk po më kujtohet për momentin, e kanë përfaqësuar Shqipërinë dhe flamurin shqiptar në “Eurosong”, gjë që është shumë e madhe, dhe që unë e kam menduar ndoshta vite më parë andaj duhet të jemi gjithmonë falendërues për këtë hapsirë, jo vetëm Festivali i Radio Televizionit Shqiptar, por unë po flas personalisht për vetën, kam pasur gjithmonë hapsirë në Shqipëri, në çdo eveniment e çdo garë kam marr dhjetëra çmime të rëndësishme. Gjithmonë, edhe mikpritja e publikut ka qenë sa herë kam marr pjesë në të gjitha evenimentet apo koncerte, kështu që në këtë rast unë jam mirënjohëse dhe falendëruese për hapsirën e dhënë për të tjerat pastaj mbase është individuale.

Për disa vite bashkë me bashkëshortin dhe djalin, e keni zgjedhur për të jetuar Zelandën e Re, sa ishin shqiptarët të bashkuar si komunitet dhe sa ishte Vesa prezente në aktivitetet kulturore të organizuara nga bashkatdhetarët?

Vesa Luma: Gjatë kohës sa ishim ne në Zelandën e Re, janë bërë dy organizime për herë të parë me komunitetin shqiptar i cili nuk ka qenë shumë i madh, dhe në të dyja ato evenimente, ne vullnetarisht, edhe unë edhe Geri kemi qenë pjesë e tyre duke u munduar me i mbledhë në të njejtin vend për ta kaluar një festë të gjithë së bashku. Ato kanë qenë ndër netët më të mira, që i kemi kaluar sepse thashë se komuniteti është i vogël dhe dëshira ka qenë shumë e madhe për të gjithë që të mblidhen në një vend pasi shteti është i madh dhe komuniteti i vogël, andaj kjo ka qenë një mundësi e mirë për t’i parë të gjithë bashkë. Unë gjithmonë kam thënë dhe vazhdoj ta them se komuniteti shqiptar në Zelandën e Re është gjëja më e mirë që kemi parë në atë vend.

“Edhe një fundvit” edhe pse ka vite që është publikuar edhe sot dëgjohet me ëndje, si ndihet Vesa kur këngët e saj i kanë rezistuar kohës?

Vesa Luma: Unë jam shumë e lumtur që si “Edhe një “Fundvit”, por “Edhe për mu do të ketë një zemër”, “Amaneti”, “Jemi dhe s’jemi”, “Luaj”, janë këngë të cilat vazhdojnë të këndohen, të luhen nëpër diskoteka apo të bëhen edhe covera nga këngëtarë të tjerë apo nga njerëzit të cilët i pëlqejnë këto këngë tash e sa vjet. Ky është çmimi më i madh që një artist mund ta marr ndër vite kur kënga jeton gjatë, dhe në këngë të tjera të cilat padyshim do të jenë të ngjashme.

Me cilin këngëtar/e nga estrada do të dëshiroje ta realizoje një duet?

Vesa Luma: Nuk jam shumë adhuruese e bashkëpunimeve, edhe pse sot bashkëpunimet janë në trend, por sapo kam përfunduar një bashkëpunim me partnerin tim të jetës dhe mezi po presim sa të lansohet, është kënga e festivalit, të cilën me padurim po presim që publiku ta dëgjoj. Ndërsa për bashkëpunimet e tjera jam, nuk e di, nëse e shoh që më vjen ndonjë ide apo ndonjë këngë, atëherë nuk është shumë e rëndësishme kush është, e rëndësishme është që të jetë kënga dhe të përshtatemi me zërat, me rrymën muzikore që t’i sjellim diçka të mirë publikut që gjithmonë zgjatë shumë.

Cili do të ishte “amaneti’ apo porosia e Vesa Lumes për njerëzit dhe jetën në përgjithësi në këtë botë?

Vesa Luma: Nuk e di nëse jam njeriu i duhur për të dhënë mesazhe, por nëse do të kisha sygjeruar diçka ndoshta të rinjëve, është që të mos kenë frikë të dalin nga ato kornizat e jetës që i kanë vënë në mendjet e tyre, të mundohen që të bëjnë maksimumin që t’i perjetojnë gjërat ndryshe, ta shëtisin botën, të përjetojnë eksperienca të reja, kultura të ndryshme, dhe kjo gjë kam përshtypjen që i pjekë të gjithë edhe artistikisht por edhe si njerëz. Kaq mund të them. Ju falenderoj shumë dhe ju uroj çdo të mirë.