Vëllai i vajzës së përdhunuar në Vlorë: Si e mësuan ngjarjen, ç’më tha kur u përmend

Gazetarja e Euronews Albania, Sara Demushi ka mundur të sigurojë një intervistë ekskluzive me vëllain e vajzës që u përdhunua nga 4 djem në Vlorë.

Ai tregoi se ka qenë një mjek nga spitali i Vlorës që i ka marrë në telefon dhe i ka informuar për ngjarjen. Kur ka shkuar në spital, djali tha se nuk iu dha asnjë detaj për çfarë kishte ndodhur.

“Motra ishte në reanimacion, nuk mund të fliste dhe doktorët nuk më dhanë shumë shpjegime. Unë dje e kam takuar motrën, sepse nuk jetoj këtu, jetoj jashtë shtetit. Ajo qëndroi në spital nga e premtja deri të hënën,” – tha vëllai i vajzës.

Në momentin që vajza është përmendur ajo i ka treguar vëllait të saj se ka dalë me një djalë të pijë diçka dhe në një moment ka shkuar në tualet. Në momentin që është kthyer nga tualeti, djali me të cilin ajo kishte dalë i kishte dhënë një pije dhe pas asaj pije, vajza nuk ka qenë e vetdijshme.

Sipas asaj që viktima ka komunikuar me vëllain, nga lokali në drejtim të hotelit, vajza kujton se është larguar vetëm me djalin që kishte dalë të pinte diçka, ndërsa më pas janë bashkuar dhe personat e tjerë që kanë kryer krimin.