UEFA me njoftim zyrtar: Anulohet ndeshja Belgjikë – Suedi pas sulmit të dyshuar terrorist

Është anuluar ndeshja mes Belgjikës dhe Suedisë, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Pjesa e parë e kësaj ndeshje u zhvillua dhe u mbyll 1:1, por pjesa e dytë nuk ka nisur fare.

Pjesa e dytë nuk nisi pasi ekipi kombëtar i Suedisë ka refuzuar të kthehet në fushë.
Ky refuzim i tyre erdhi pasi ata morën lajmin që dy shtetas suedezë janë qëlluar për vdekje në Bruksel.

Me të marrë lajmin gjatë pushimit mes pjesëve, ekipi i Suedisë nuk ka pranuar të luajë më.

Tani, për arsye sigurie është anuluar ndeshja dhe pritet që më vonë të merret një vendim për të.

“Pas një sulmi të dyshuar terrorist në Bruksel mbrëmjen e sotme, pas konsultimit me dy ekipet dhe autoritetet lokale të policisë është vendosur që të anulohet ndeshja kualifikuese e UEFA EURO 2024 mes Belgjikës dhe Suedisë. Komunikimi i mëtejshëm do të bëhet në kohën e duhur”, ka njoftuar UEFA.