Fillimi i luftës në Ukrainë e detyroi të largohet nga vendlindja e tij, por ai nuk hoqi dorë nga dëshira e tij, së luajturi volejboll.
Rrugët e jetës e dërguan atë në Berlin si refugjat bashkë me familjen e tij, por Oleg Ivanov nuk e la në gjysmë ëndrrën e tij, volejbollin.
Ai nuk u dorëzua, rinisi të luaj sërish, këtë herë në Gjermani, aty ku u shpall kampion në beach vollej.
Nga Gjermania, Olegu përfundoi në Kosovë tek një vend shumë më i vogël se Berlini, në Lipjan, por me ambicie të mëdha.
Tash e pak javë volejbollisti shtatgjatë po i mbron ngjyrat e ekipit të Ulpianës.
Në një rrëfim për sportin në T7, Oleg flet për jetën në Kosovë, e shumëçka tjetër.
Oleg tregon se ka dëgjuar për shtetin e Kosovës, por jo gjëra të mira.
22 vjeçarit po i pëlqen jeta në qytetin e Lipjanit, por ende nuk e ka shijuar ushqimin tradicional të vendit tonë. Ndonëse kohë e shkurt që qëndron në Kosovë, Ivanov i ka mësuar disa fjalë në gjuhën shqipe.
Situata në shtetin e tij, Ukrainën është tejet e keqe, për shkak të luftës që po mbizotëron atje nga Rusia, çka e ka detyruar që pjesa dërmuese e familjes të largohet nga atdheu.
Po ashtu, Oleg tregon se është i frikësuar me situatën atje.
Oleg Ivanov është prurja e vetme nga të huajt për skuadrën e Ulpianës dhe me të në krye shpresojnë të korrin suksese këtë edicion në Superligën e volejbollit.