Një aksident i rëndë ka ndodhur në Hafencity të Hamburgut, në Gjermani, mëngjesin e së hënës, kur katër persona humbën jetën, pasi skela u shemb në një kantier ndërtimi.
Aksidenti ndodhi rreth orës 09:10 në kantierin e ndërtimit të Überseequartier dhe skela në katin e tetë me punëtorë ndërtimi në të u shemb në një bosht ashensori të brendshëm.
Shërbimet e urgjencës që mbërritën fillimisht gjetën tre të vdekur dhe një tjetër në gjendje të rëndë. Në orët e para të pasdites ata zbuluan një tjetër person të vdekur.
Rreth 1,400 njerëz punonin rregullisht në këtë kantier, por të hënën, sipas zjarrfikësve, ishin vetëm 700 punëtorë.
Lidhur me këtë aksident tragjik, mediet gjermane raportuan se katër viktimat ishin shtetas nga Bullgaria, por shqiptarët që jetojnë atje kanë një tjetër version për ngjarjen në fjalë.
Sipas banorve shqiptar thonë se janë 5 viktima dhe jo 4 ashtu siç shkruhet në mediet gjermane, ku tre të rinj ishin nga Elbasani, një nga Burreli dhe një tjetër nga Dibra.
Të gjithë shqiptarët thuhet se punonin në të zezë dhe nesër bashkatdhetarët e tyre do mblidhen për ngjarjen e rëndë.
Mesazhi i shqiptarëve:
“Përshëndetje, në Hamburg kanë mbetur te vdekur 5 shqiptarë në punë . Nuk e thonë mediet se janë shqiptare, po 3 nga çunat që kanë vdekur janë nga Elbasani, një është nga Burreli e një nga Dibra, që i njoh vetë, a kupton. Të gjithë kanë qenë në te zezë. Nesër do mblidhemi gjithë çunat, shpërndajeni se gjynah”.